Protestat, rrihet kreu i PS Mallakastër
Fier/Majlinda Rama
Rrihet me grushte kryetari i PS-së Mallak-astër, Pajtim Ismaili. Shkak i këtij sherri ishte protesta që PS organizoi dy ditë më parë në komunën Fratar, ku protestuesit kanë kërkuar hapjen e kutive dhe largimin e Qeverisë për shkak të situatës së rëndë ekonomike. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes vetëm pak pasi Partia Socialiste kishte zhvilluar protestën e saj për të kërkuar transparencën e votave si dhe për të luftuar krizën e ethshme ekonomike. Kreu i PS-së Mallakastër, ka identifikuar dy agresorët dhe ndaj tyre ka bërë denoncim në polici. "Dhunimi që u ushtrua ndaj meje është një sulm politik, dhe ka ardhur si rrjedhojë e protestës që zhvilloi Partia Socialiste në komunën Fratarit të Mallakastrës. Protesta në thelb të saj kishte kushtet tepër të vështira me të cilat po përballet e gjithë zona e Fratarit", u shpreh Ismaili. Kreu i PS së kësaj zone, ka bërë dhe përshkrimin e incidentit të ndodhur pas mitingut. "Në mes të mitingut futen në turmë të dy këta personat, Gentian Dervishi dhe Besnik Murati, të cilët ishin aty për të prishur mitingun. Edhe pse kishim marrë masat tona për mbarëvajtjen e mitingut të protestës dhe i nxorëm nga turma, për pak minuta u shpërqendrua vëmendja. Ndërsa pikërisht këta persona erdhën dhe më kërcënuan e më pas më goditën. Unë i njoh shumë mirë se kush janë ata dhe për këtë akt kam bërë edhe denoncimin përkatës në polici. Tashmë i takon drejtësisë shqiptare të merret me këtë çështje", u shpreh Ismaili. Kryetari i PS Mallakastër ka bërë denoncimin në policinë e Mallakastrës në orët e vona të së premtes, ndërsa dje i është drejtuar Komisariatit të Fierit, për të kryer denoncimin në fjalë. Policia ka marrë denoncimin dhe ka nisur tashmë hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe për kapjen e autorëve. Ndërkohë për rastin në fjalë, ka pasur shumë reagim nga socialistët në Mallakastër dhe në Fier. Duke marrë spunto nga ky rast, mësohet se këto zona mund të rinisin një tjetër protestë në mbrojtje të fjalës së lirë.
Reagimi
Dje reagoi dhe selia rozë për këtë akt të dhunshëm gjatë protestave të saj. Deputeti i qarkut Fier, Pirro Lutaj i kërkoi PD të distancohet nga ky akt. Lutaj tha dje se sulmi ndaj tij është bërë për motive të pastra politike, pasi një ditë më parë banorët e komunës Fratar kishin dalë në protestë. "Fakti që në asnjë rast, Partia Demokratike dhe Sali Berisha nuk janë distancuar nga këto akte që nuk kanë vend në një demokraci, fakti që këto sulme janë nxitur nga zyrtarë lokalë e partiakë të partisë në pushtet, flasin qartë se këtu bëhet fjalë për një fushatë dhune e kërcënimesh që po ushtrohet nga partia e Sali Berishës kundër opozitës shqiptare. Në i bëjmë thirrje Sali Berishës që të heqë dorë nga këto tentativa të kota për të trembur e për t'i mbyllur gojën opozitës, qoftë me përjashtime nga Parlamenti, qoftë duke goditur e dhunuar përfaqësuesit e saj" theksoi Lutaj.