E Diel, 1 Nëntor 2026

Të përndjekurit presin ofertën e socialistëve



Përfshirjen në statutin e Partisë Socialiste të ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve politikë është pritur me interes nga shoqatat e këtyre shtresave, të cilat presin ofertën e socialistëve. "Ndryshimet që paraqit sot PS, do të thotë që është një shkëputje e saj nga pozicioni i të majtës, duke anuar nga e djathta, por ne jemi shumë të interesuar për të na thënë si do ta realizonte këtë program të ri të saj. Nuk shkon për ne që do mbrohen të gjithë. E drejta është një, nuk mund të ketë dy të drejta. Ata që na kanë zaptuar pronat do mbrohen, do mbrohemi edhe ne" thotë Agim Toro, kryetar i shoqatës "Pronësi me Drejtësi". Ish-të përndjekurit kërkojnë që fillimisht të dënohen krimet e së kaluarës komuniste. "Sigurisht për një parti që pretendon të vijë në pushtet, dialogu është më se i pranueshëm. Që të shkohet te dialogu duhen dhënë disa prova. Që të shkohet te ky dialog, duhen dënuar krimet e komunizmit. Që të shkohet te ky dialog, duhen dënuar ligjet që nuk i japin pronën pronarit. Që të shkohet te ky dialog, duhet urgjent që në sheshin qendror të Tiranës të vihet memoriali i përndjekjes të regjimit komunist", tha Besim Ndregjoni, kreu i shoqatës së ish- të përndjekurve dhe dënuarve politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›