E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incident me ministrin. Vetevendosje akuza Bajram Rexhepit

Aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje” ndërprenë ligjëratën e ministrit të brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi para studentëve të një kolegji privat, duke e fishkëllyer atë për disa minuta.  Ata kanë shpalosur një parullë të gjatë disa metra para fytyrës së ministrit Rexhepi dhe ambasadorit francez Jean-François Fitou, të cilët ishin ftuar të flasin para studentëve për procesin e liberalizimit të vizave. Parrulla akuzonte Rexhepin se flet për veriun nga pozita e spektatorit, sikur të ishte zëdhënës i KFOR-it. 

Aktivistët e Vetëvendosjes gjatë kësaj kohe shpërndanë për studentë fletushka në të cilat thuhej se “Bajram Rexhepi nuk ka qenë në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës që nga 12 shkurti i vitit 2008.

Dukshëm i zemëruar ka reaguar ministri Rexhepi: “Mua nuk më bëjnë shumë nervoz disa fëmijë të lazdruar që sillen rrugëve. Janë fëmijë të lazdruar disa. Nuk po them me emocione, por ka shumë gazetarë që kanë marrë intervista natën në shtëpinë time në Suhadollë, që kam qenë vetëm. Këta liderët e Vetëvendosjes që kanë duan të binden se deri ku lëviz vetëm ministri i punëve të brendshme unë i ftoj ata që veturën time personale të shkojmë jo vetëm nënë Suhodoll apo në lagje të Boshnjakëve, por shumë më thellë, deri atje ku ata as nuk mund ta imagjinojnë”.

Më i ashpër ndaj aksionit të Vetëvendosjes ishte ambasadori francez Jean Francois Fitou i cili  veprimet e tyre i quajti fashiste.

 “Kam qenë disa herë në veri. Kam takuar shumë njerëz, përfshirë edhe në mëhallën e Boshnjakëve. Gjëja e parë që duhet të bëni është të mos silleni si bandat fashiste. Ne jetojmë në një vend demokratik dhe ka mendime të ndryshme për dialogun për liberalizimin e vizave. Por të vish në një takim, ta fyesh ministrin, të flasësh banalitete, më falni por kjo është Evropa e vitit 1943. Ky është fashizëm dhe këto veprime vendi im dhe të tjerët do t’i kundërshtojnë”- tha Fitou.

Pas aksionit ministri Rexhepi dhe ambasadori Fitou kanë vazhduar ligjëratën, ndërsa Vetëvendosja ka njoftuar për arrestimin e 10 aktivistëve të saj nga policia, duke pretenduar edhe përdorimin e dhunës ndaj tyre.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›