Kuvend i skaduar
Ka të paktën një çerek shekulli që çdo 7 Mars do kesh se s’bën në televizor ose filmin “Udha e shkronjave” ose “Komisarin e dritës”. Nuk ndryshon shumë kjo formulë nga kuvendi ynë. Sa herë ka një ngjarje, do të kemi saktësisht të njëjtin film të stërparë e bajat. Ata që e ndjekin Kuvendin – qoftë edhe përgallatë – e dinin si buka që hanë se pas hedhjes në erë të Gërdecit nuk kish si të mungonte i njëjti film.Halli është se këtë radhë e njëjta gallatë është dramatike. Në dy seritë e të mërkurës dhe të enjtes, ky kuvend dëshmoi se nuk ka ç’jep më.
Mënyra e të bërit parlamentarizëm, mendësia madje edhe oratoria e debatit për Gërdecin datojnë që nga fillimet e tranzicionit, të cilit prej kohësh i ka kaluar data e skadencës. Është provuar botërisht që kjo metodë përherë ka dalë shterp. Nuk mbahet mend në shtatëmbëdhjetë vjet që parlamenti shqiptar të ketë pasur forcën të lëvizë qoftë edhe një drejtor drejtorie pa dëshirën e shumicës. Dështimin, seancat e të së mërkurës dhe të enjtes e kishin të shkruar në ballë që në emërtim: debat! Si të mos mjaftonin pesë ditë rresht opinione, debate, teori, komente, analiza në televizor, radio, rrugë e kafene, kishim mangët edhe hartimet e ligjvënësve tanë. Në të vërtetë i vetmi debat në atë sallë të shenjtë qe ai mes kryeministrit me ndonjë që e shponte aty ku i digjte. Të tjerët, sipas kohës që matet nga një biçim ore me ku-ku, qenë të lirë të gjezdisnin në hapësirë e kohë për të qëmtuar argumente pro apo kundër dorëheqjes së zotit Berisha. Ma ha mendja se as shqiptari më optimist s’kish ndonjë thërrime shprese që dorëheqja e kryeministrit të ndodhte kështu, tafti-bafti, sidomos që shkak i ikjes të bëheshin akuzat sevetë Berisha ka lidhje me biznesin e zbërthimit të predhave apo me trafiqet e armëve. Edhe në qoftë i zhytur kokë e këmbë, nuk mund të ikë tani, pasi vetvetiu do të merrte njëherë e mirë gjithë fajin dhe njollën me vete.
Për seriozitetin e ngjarjes së Gërdecit dhe emrit të kuvendit, para debatit dhe akuzës dhe për të treguar se e kishin megjithëmend largimin e Berishës, deputetët të paktën mund të kishin thirrur një a disa interpelanca për të marrë informacionin e duhur. Kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit qe lëvizje me detyrim-përcaktim për opozitën. Në të kundërt vetë opozita humb çdo kuptim politik e moral. Mirëpo, në vend që të dalin në foltoren e kuvendit me dosje a dokumente në dorë, tundin celularët duke recituar mesazhe ngashëruese të qena e të paqena. Ndryshe nga të zgjedhurit tanë që u rrekën me hir a me pahir t’i mbushnin mendjen Berishës të pranonte që është mafioz, anëtar i klanit të Gërdecit,ata shqiptarë që e kërkojnë ikjen e këtij kryeministri kanë një arsye shumë më të thjeshtë: me atë që panë të shtunën dhe ditët që vijuan,nuk kanë më besim tek shteti dhe kjo është përgjegjësi politike e atij që udhëheq mazhorancën.Kostoja që ai paguan është politike dhe morale. Shkurt, ia kalon karrigen një tjetri. Në rastin tonë kjo mund të bëhej edhe pa zgjedhje, siç ndodhi në kohën e socialistëve kur Nano shkëmbehej me Majkon, Majko me Metën e anasjelltas. Por rrallëkush iu qas ndopak kësaj fryme në “debatin” e së mërkurës.
Ditën e katastrofës shumë prej nesh pyetëm në fillim veten e më tej shoshoqin: a thua do t’ia hedhë edhe kësaj radhe Berisha? Ndërsa sot unë pyes vetëm veten: si do t’ia hedhim ne sot e tutje me këtë lloj politike? Në librat e shenjtë thuhet se qeverisja e keqe është njëri prej ndëshkimeve nga Zoti. Për këtë të dalin dëshmitarë të gjithë shqiptarët që kanë rrojtur në këtë vend të paktën në 65 vitet e fundit. Jemi dëshmitarë gjithashtu se s’jemi nga ai brumë që e shkundim pemën. Ne e lëmë politikën si ajo kokrra e hurmës të piqet, më pas të squllet e deri sa kalbet e bie vetë nga dega e kemi si gjynah ta trazojmë. Ndaj edhe dhëntë zoti t’i japë një dridhje të vogël hurmës sonë e na dhëntë po i njëjti zot një tjetër hurmë. Se të jetë për ne, as e kemi nxjerrë e as kemi ndërmend ta nxjerrim ndonjëherë qimen nga qulli.