E Shtunë, 31 Tetor 2026

MTKRS dhe reforma në Artin Skenik

Prej disa muajsh MTKRS dhe drejtuesit e institucioneve publike qendrore të artit skenik kanë punuar për përgatitjen e draftit “për reformën në fushën e artit skenik”. Një punë voluminoze kjo që ka kërkuar angazhimin e shumë njerëzve të nderuar të fushës së artit dhe menaxhimit artistik-kulturor, jo vetëm në Shqipëri, të cilët njëzëri bien dakord se arti skenik në vend, ashtu si shumë sektorë të tjerë, ka mundësi dhe duhet të përmirësojë “performancën” e tij.
Nevoja për përmirësimin e infrastrukturës kulturore dhe rritjes së eficiencës së institucioneve të artit skenik nuk është një ide fantastiko-shkencore e “disave” në MTKRS. Përkundrazi, ajo është një thirrje e vazhdueshme dhe tejet e ligjshme e komunitetit artistik ndaj institucionit që bën politikën kulturore kombëtare. Një thirrjee fortë e shumë aktorëve dhe faktorëve të rëndësishëm në këtë sektor ndaj atij institucioni që ka për detyrë që të sigurohet se fondet publike për artin skenik dhe kulturën kombëtare po investohen më së miri. MTKRS, drejtuesit e institucioneve të artit skenik dhe shumë artistë të nderuar që kanë një kontribut të pashlyeshëm në skenën shqiptare dhe atë botërore janë të bindur se ka edhe shumë për të bërë dhe për këtë po punojnë përditë.
Kjo është arsyeja që Ministri i TKRS ka kërkuar ngritjen e grupit të punës për të përgatitur një draft-propozim (e theksoj PROPOZIM, për të gjithë ata që pa lexuar as krye-titullin e kanë paragjykuar draftin) për institucionet e varësisë. Draft-Propozimi shtron, pa asnjë paragjykim, një seri çështjesh që kanë të bëjnë me rritjen e performancës së institucioneve të artit skenik, e mundësive për pasurimin e jetës artistike në vend dhe rritjen e prezencës së artistëve shqiptarë në skenat europiane dhe ato ndërkombëtare.
MTKRS ka qenë shumë e ndjeshme ndaj mendimeve të komunitetit tejet të larmishëm të artistëve, individualiteti dhe karizma e të cilëve janë një vlerë e shtuar dhe siguri më e madhe për mbarëvajtjen e këtij procesi. Pikërisht për këtë arsye, me transparencën më të madhe, MTKRS e hodhi Draft-Propozimin për debat të gjerë duke i përfshirë të gjithë në këtë proces. Të gjithë janë të mirëpritur ta pasurojnë dhe ta përmirësojnë këtë draft. Dhe propozimet nuk mungojnë. Përditë në MTKRS vijnë aktorë të ndryshëm që kanë lidhje me këtë sektor dhe shfaqin mendimet e tyre mbi paketën që ne kemi propozuar.
Të bësh peticione ndaj draft-propozimeve është në rastin më të mirë qesharake. Qesharake se asgjë në këtë botë nuk është vetëm bardh ose zi siç paraqitet nga disa – të cilët fatmirësisht përbëjnë një minorancë. Në rastin më të keq ajo mund të kthehet në fatkeqësi kolektive. Fjali të prera të formave urdhërore dhe presionesh në procese konsultimesh dhe diskutimesh janë të papranueshme në një shoqëri demokratike. E përsëris, të papranueshme dhe kjo është pjesë e preambulës së Kushtetutës së Shqipërisë.
Është detyra e të gjithë neve të diskutojmë, të debatojmë me konstruktivitet, të vemë në pikëpyetje drafte apo formula menaxhuese sepse kështu zhvillohet një vend. Por askujt nuk besoj t’i gënjejë mendja se zhvillimi vjen me ultimatume apo të tjera forma presioni.
Ndryshimi mund të frikësojë disa njerëz por ai duhet të ndodhë sepse fatkeqësia më e madhe për një vend, një shoqëri është qëndrimi vend-numëro. Që ta bëjmë atë sa më konkret, eficent dhe të dobishëm duhet të ulemi në tryeza e të diskutojmë dhe jo të ndjekim formula peticionesh.
Një gjë është e sigurt: të gjithë kanë të drejtë kontribuojnë për përparimin. Të gjithë janë të ftuar në ‘shtëpinë e artistëve’ për të ndërtuar një program që të qëndrojë sa më mirë zhvillimeve të vendit.
Drejtor i Drejtorisë së Arteve dhe Letrave në MTKRS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›