E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk e kemi luksin që të heshtim më!

Kupa është mbushur plot. Faktet sot janë të thjeshta. 12 kilometra larg kryeqytetit, anës autostradës që lidh Tiranën me Durrësin, pranë të vetmit aeroport ndërkombëtar, në qendër të një zone të banuar, pak metra larg depozitave të gazit, në mungesë të plotë të kushteve teknike e atyre të sigurisë, nën qiell të hapur e rrethuar me llamarinë, punonin në të zezë mes barutit e predhave, fëmijë e gra; për të siguruar bukën e gojës, paketonin fishekë për trafiqet me nënshkrim qeveritar.Viktima e fundit e shpërthimit të Gërdecit është besimi i publikut tek qeverisja e vet. Nëse të parët tanë shkrinë pasurinë e tyre për Shqipërinë, sot kuptojmë se ata që na qeverisin po shkrijnë Shqipërinë për pasurinë e tyre***
Pas dhimbjes dhe hidhërimit që vjen natyrshëm, pas atij shpërthimi që e kishim parë vetëm në filma, po na duhet të dëgjojmë ditë pas dite mashtrimet dhe akuzat e një kryeministri të papërgjegjshëm, i cili në këto momente duhet të kishte pranuar përgjegjësitë dhe të kishte paraqitur dorëheqjen. Berisha duhet të largohet, pasi ai është kthyer në turpin e kombit tonë e njëkohësisht në fatkeqësinë e Shqipërisë.Sot gjendemi përballë një tragjedie të cilën fatkeqësisht nuk e zhbëjmë dot. Shpërthimi ndodhi, dhe dëmet janë të pallogaritshme. Por përballë kësaj tragjedie, Kryeministri i vendit tenton të shfajësojë veten, duke pretenduar se nuk kishte asnjë informacion mbi vendndodhjen e fabrikës dhe objektin e punës së saj. Kryeministri Berisha pretendon se nuk ishte përgjegjësi e qeverisë së tij mbikëqyrja dhe sigurimi i vendit ku kryhej demontimi i mijëra ton municioni, tritoli e baruti. Kryeministri ynë shfajësohet duke pohuar se ndodhej në mes të territ informativ mbi sigurinë kombëtare, a thua se kjo nuk është në vetvete një arsye e mjaftueshme për të dhënë dorëheqjen. Ky është Kryeministri që nxiton për të marrë mbi vete gjithë lavdet për të ashtuquajturat fitore e suksese të qeverisë, e po i njëjti Kryeministër që po aq shpejt e paturpësisht nxiton të fusë kokën në rërë si një struc frikacak sa herë që qeveria e tij dështon.Sot, të gjithë përballemi me një Kryeministër i cili në rastin më të mirë është i paaftë për të siguruar jetën e qytetarëve që qeveris, e në rastin më të keq është shkaktari kryesor, përmes veprimesh a mosveprimesh, i humbjes së jetës të dhjetëra shtetasve shqiptarë, për të mos folur për numrin e të lënduarve dhe dëmeve materiale. Kushdo qoftë e vërteta, ajo është një e vërtetë e hidhur. Qeveria e sotme, drejtuar nga Sali Berisha është e paaftë të mbrojë jetën e qytetarëve te vet dhe në çdo rast, kjo paaftësi duhet shoqëruar minimalisht nga një akt, largimi i Kryeministrit përgjithmonë nga politika.
Ndërkohë Berisha shet 'indulgjenca', se nuk shet dot të vërtetën e hidhur, se ai dhe familja e tij e kanë kthyer në biznes jetën e qytetarëve shqiptarë. Politika e Berishës është kthyer në biznes të publikes, e jo ne mision ndaj publikut***
Por sot, përveç kreut të qeverisë, përgjegjësi mbajnë dhe të gjithë anëtarët e kabinetit, të cilët përpos privilegjit të të qenurit ministër, duhet të tregojnë se janë në radhë të parë qytetarë të këtij vendi. Në demokraci, ofiqi me i larte është ai i qytetarit. Pyetja është, jeni të denjë për këtë ofiq, zotërinj të kabinetit?Nëse Kryeministri i vendit zgjedh të tregojë sërish etjen e tij të pashterueshme për pushtet, anëtarët e tjerë të kabinetit kanë ende mundësinë për të treguar përgjegjshmëri e qytetari, duke u distancuar nga një individ i marrë që nuk duhet lejuar të provojë sërish deri ku mund të shkojë marrëzia e tij. Unë dëshiroj t'u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të qeverisë, të cilëve u ka mbetur sado pak moral, të distancohen sot. Përndryshe edhe ata, qoftë edhe me heshtjen e tyre, do të bëhen pjesë e këtij turpi të madh kombëtar. Ata duhet të kuptojnë se në fund, historia nuk do t'i gjykojë në bazë të kohëzgjatjes në karriget e tyre, por të moralit dhe karakterit. Ndaj sot, është koha t'i bëni vetes një pyetje: Jeni burra apo burrecë?
Qeveria nuk është as organizatë partie komuniste, as kope servilësh të paaftë dhe frikacakë, të cilët e vetmja gjë që dinë të bëjnë është t'i përulen paturpësisht dhe pafundësisht atij. Ajo duhet menjëherë të japë dorëheqjen për t'u distancuar nga ky i marrë.QYTETARET DHE PROTESTA SOTPor, pjesëtarë të këtij turpi mund të bëhemi lehtësisht edhe ne, nëse do të zgjedhim apatinë përkundrejt pjesëmarrjes, heshtjen përkundrejt reagimit, frikën përkundrejt kurajës. Sot nuk ka më asnjë arsye që justifikon qëndrimin e Kryeministrit në detyrë. Sot Sali Berisha është veçse një fitil i ndezur, i cili nuk mund të bëjë më asgjë të mirë, veçse të hedhë në erë shanset e Shqipërisë për t’u integruar në NATO e Bashkimin Evropian. Sot gjendemi përballë nevojës urgjente për të vepruar. Koha është tani. Ky është momenti ynë, momenti i gjeneratës së re që kërkon qytetari e moral e që kurrsesi nuk do të mbahet peng nga politikanët e para erës sonë.
Sot duhet të zgjedhim të ardhmen, për t'u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga e shkuara. Duke filluar nga sot e në ditët në vazhdim, ne do të jemi kudo, në çdo cep të Shqipërisë, për të bërë të mundur ndryshimin që nevojitet. Koha është tani, ky është momenti ynë. Dhe nëse Berisha do të ngurrojë të japë dorëheqjen, do të jemi ne të vendosur për t’u dorëhequr nga Berisha. Thirrje të gjithë të rinjve: “Duhet kurajo, më pas shpresë!”
Të jemi solidarë, që rrëzohemi e ngrihemi së bashku. I apelojmë 'shumicës së heshtur' të qytetarëve, nuk e kemi luksin që të heshtim më. Të rigjejmë besimin se ky vend do t'ja dalë nga 18 vjet andralla.Të gjithë në bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, sot ora 17:30
*Artikulli i mësipërm u firmos dje në formë peticioni nga anëtarë të “Grupi 99” dhe simpatizantë e qytetarë të Tiranës në ambjentet e Hotel Tirana në kryeqytet.Sot në 17:30, “Grupi 99” do ti bashkohet marshimit të heshtur qytetar për viktimat e Gërdecit që do të zhvillohet në Bulevardin kryesor të Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›