Incident në kufirin Izrael-Egjipt

Lajmi u konfirmua nga ushtria izraelite. Sipas saj, militantët e armatosur dhe me lëndë plasëse kaluan kufirin qindra metra në brendësi të shtetit të Izraelit, para se të lokalizoheshin nga forcat ushtarake të Izraelit.
Njoftimi izraelit bën fjalë për shkëmbim zjarri që la të vdekur tre militantët, por autoritetet egjiptiane folën për një tjetër version. Sipas tyre, njëri prej militantëve vdiq pasi hodhi veten në erë me eksploziv, ndërsa dy të tjerët gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Tel Avivi e cilësoi operacionin të suksesshëm dhe parandalues të një sulmi të mundshëm gjakatar ndaj civilëve. Që pas rrëzimit të Hosni Mubarakut nga pushteti, kufiri mes Izraelit dhe Egjiptit ka regjistruar disa incidente dhe veç të tjera, pikat e kalimit në të janë shndërruar edhe në udhë të emigrantëve ilegalë afrikanë, në kërkim të një jete më të mirë.