Incident në takimin për burgjet. Drejtori, të huajve: 'Ua mbyll dyert'
Debat në fund të takimit dhe një incident thuajse diplomatik, duke patur parasysh pjesëmarrjen e disa prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të organizatave të huaja në Tiranë.
Kjo ka ndodhur sot në Hotel Tirana gjatë një takimi që duhej të ishte takimi formal dhe përmbyllës i një projekti dy vjeçar të titulluar "Përmirësimi i Sistemit të Paraburgimit në Shqipëri".
E derguara e Shekullit ne takim, raporton se tonet e ngritura dhe arrogante ndaj organizatorëve kanë ardhur në fund të takimit nga Drejtori i Burgjeve Gazmend Dibra, i cili përballë raportit të hartuar mbi situatën në paraburgime, ka reaguar ashpër duke kërcënuar se "do të pezullojë të gjitha lejet për vëzhgime nëpër institucionet e izolimit, nëse ofrohen të dhëna të tilla".
"Të paktën sa të jem unë drejtor, nuk merrni leje, - i tha ai znj. Marta Onorato drejtore egzekutive e Institutit Europian të Tiranës. Ky organizëm së bashku me Zyrën e Avokatit të Popullit dhe Shërbimin Ligjor Falas, janë zbatuesit e projektit në fjalë financuar nga Instituti i Shoqërisë së Hapur (Open Society Institute).
Takimi ku administrata shtetërore përfaqësohej në nivel ministror dhe kishte një numër të madh personalitetesh të huaja në Tiranë ka qen ë i qetë deri afër fundit, kur publikimi i të dhënave nga znj.Onorato shkaktoi zemërimin e papritur të drejtorit Dibra.
Raporti ishte pergatitur pas një monitorimi për një periudhë 10 mujore të të gjitha institucioneve të paraburgimit në vend. Me këtë rast Instituti Europian i Tiranës, tha se synonte hapjen e një debati të madh në lidhje me gjendjen e paraburgimit në Shqipëri, përvojat dhe sfidat e sotme dhe të ardhme.
Ne takim ishin te ftuar Ministrat e Drejtësisë dhe Shëndetësisë, zëvendësja e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Znj. Nora Malaj, Avokati i Popullit, z. Emir Dobjani, Shefi i Seksionit Operacional i Delegacionit të Komisionit Europian, Z. Luigi Brusa, zëvendës Shef i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Znj. Renate Herrmanns, Shefi I Unicef, Z. Detlef Palm, Shefi i Euraliusit, Z. Roland Miklaus, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Z. Gazmend Dibra si dhe përfaqësues të lartë të Institucioneve Shtetërore, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile në Shqipëri.
DISA TË DHËNA FILLESTARE TE RAPORTIT QE SHKAKTUAN REAGIMIN E DREJTORIT TE BURGJEVE:
Raste të ndryshëm të keqtrajtimit fizik dhe psikologjik (në institucionet e Lezhës, Korcës, Peqinit, Tepelenes dhe Vlorës).
Dy persona në Spitalin e Burgut Tiranë janë mbajtur për një farë kohe të gjatë të prangosur në njërën dorë dhe këmbë pas krevatit.
Në IEPV e Korcës nuk realizohet ndarja midis të miturve dhe të rriturve.
Në shumë IEPV ajrimi i qelive nuk është i përshtatshëm dhe kanë një ndricim të pamjaftueshëm natyral (IEPV-të 302 në Tiranë, Berat, Kukes, Sarandë dhe Tropojë). Në përgjithësi nuk ekziston ose nuk përdoret asnjë sistem ngrohjeje për dimër.
Ekziston një mungesë e përgjithshme e ujit të ngrohtë për higjenën personale (313, Durrës, Spitali i Burgut, Lezha, Korca, Berati, Kukes, Saranda, Tepelena, Tropoja). Shpesh ambjentet e dusheve jane në kushte jashtë cdo standarti. Pak institucione kanë qeli me banjo brënda dhe në përgjithësi banjat janë të përbashkëta nën standartet më minimum të higjenës dhe privacy (313, Spitali i Burgut, Rrogozhina, Peqini, Berati, Kukes, Saranda, Tropoja)
Ka raste kur të paraburgosurit janë të detyruar të flenë ose dy vetë në një krevat ose në dysheme (313, 302, Berat, Kukes, Tepelene, Tropojë).
Mbi popullimi i Institucioneve të paraburgimit është një problem i përhapur (313, 302, Spitali i Burgut, Peqin, Berat, Tepelene, Tropoja e Vlora).
Infrastrukturat janë shpesh të vjetra dhe të amortizuara (313, Spitali i Burgut, Rrogozhina, Berat, Kukes, Saranda, Tropoja).
Të paraburgosurit e Tepelenës shpesh privohen nga përdorimi i telefonit dhe disa prej tyre ankohen se telefonatat ndaj Avokatit të Popullit apo organizatave të tjera bllokohen apo survejohen.
E drejta e aktiviteteve fizike në ambjentet e hapura është problematike në disa institucione (313 e 302 a Tirana, Berat, Kukes, Saranda e Tropoja)
Ambjentet për aktivitet sportiv janë në kushte të këqia ose mungojnë fare (313, 302, Burrel, Kukes, Saranda, Tropoja)
Aktivitetet edukative janë të kufizuar dhe ndonjëherë edhe për të miturit (Lezha e Korca) dhe nuk ekziston një akses i drejtpërdrejtë në biblioteka atëherë kur këto ekzistojnë..
Ndihma mjeksore shpesh jepet me vonesë për shkak të personelit mjeksor të kufizuar (Berat, Kukes e Tepelene). Trajtime të specializuara nuk janë gjithmonë të garantuar.
Në përgjithësi mungojnë ambulancat për transportin e të paraburgosurve në rastet e urgjencave. Nuk ekziston trajtim për personat me aftësi të kufizuar.
Nuk ekziston një trajtim i përshtatshëm për personat me sëmundje psiqike apo crregullime psiqike (90% e të sëmurëve gjenden në Spitalin e Burgut por ka gjithashtu edhe në institucionet e tjera të paraburgimit, ps. 12 të tillë në IEPV e Vlorës).
Ka një mungesë të theksuar të psikiatërve apo psikologëve. Në disa raste këtë punë e kryejnë njerëz pa arsimin përkatës.