Incident te Ambasada e SHBA-ve, i riu tenton t’i japë fund jetës
TIRANË - Një i ri tentoi të vetëdigjej para godinës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ndërsa mbetën të paqarta dhe kontradiktore motivet e kësaj ngjarjeje. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, kur i riu, i identifikuar si Bledar Arapi, 26 vjeç, ka kërcënuar se do t’i vinte flakën vetes. I riu mbante në dorë një shishe me benzinë dhe një çakmak. Ai ka kërkuar që të fliste me mediat para se të kryente krimin ndaj vetes. Por policia dhe rojet e sigurisë së ambasadës arritën ta ndalojnë Arapin duke shmangur kështu një vetëvrasje të mundshme. Çështja po hetohet nga policia. Pasi është kapur i riu është dërguar menjëherë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe qëndroi për rreth një orë në këto ambiente. Ai u mor në pyetje nga inspektorët e Antiterrorit. Burimet policore shprehen me rezerva dhe mohojnë se kërkesat e të riut të kenë lidhje me Ambasadën Amerikane.
Reagimi i policisë
Pasi kanë marrë dëshminë e të riut, Policia ka reaguar në mënyrë zyrtare. Në orët e pasdites së djeshme, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë reagoi rreth incidentit në Ambasadën Amerikane në Tiranë. "Sot (dje), rreth orës 11:00, në Rrugën e Elbasanit, në afërsi të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, i riu me iniciale B. A., 26 vjeç, lindur në Fier e banues në Tiranë, ka kërcënuar se do të vetëdigjej duke përdorur një shishe plastike me lëndë djegëse, benzinë. Menjëherë shkuan shërbimet e Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, të cilët morën masat e menjëhershme duke kapur dhe shoqëruar për në ambientet e Komisariatit 26-vjeçarin. Pas verifikimeve të bëra ndaj tij u konkludua se ky person është përdorues i substancave narkotike dhe në momentet që ka ndërmarrë këtë akt ka qenë në gjendje të rëndë depresive. Pas deklarimeve të marra dhe trajtimit mjekësor e psikologjik, të dhënë nga stafi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, i riu u dërgua për në banesë”, - tha gjatë ditës së djeshme në mënyrë zyrtare Policia e Tiranës.
Lirohet i riu
Pas incidentit që shkaktoi në Ambasadën Amerikanë, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka liruar dje rreth orës 14:15 Bledar Arapin. Arapi, që ndodhej në polici pasi tentoi të djegë veten para godinës së Ambasadës Amerikane për arsye ende të paqarta u vlerësua nga policia si përdorues i lëndëve narkotike. Ai ka lënë tashmë ambientet e burgut dhe do të ndiqet në gjendje të lirë nga policia. Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se dosja me materialet hetimore të përpiluara nga ngarkim të tij i janë dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “prishjes së rendit dhe të qetësisë publike”.
Kapen 2.5 kg heroinë në Librazhd, tre persona në pranga
ELBASAN - Kapen 2.5 kilogramë heroinë në Librazhd dhe në pranga kanë rënë tre të rinj, të cilët po e transportonin. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se gjatë ditës së djeshme, në orën 18:30, është finalizuar me sukses operacioni i koduar "Urakë", pasi në fshatin me të njëjtin emër të rrethit Librazhd është bërë e mundur kapja në flagrancë e tre personave: Santiliano Duci, 24 vjeç, lindur dhe banues në Voskop, Korçë; Markel Prendo, 27 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec; Krenar Hoxha, 25 vjeç, lindur e banues në fshatin Strav, Pogradec. Sipas policisë, kapja e tyre është bërë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Volkswagen” me targa PG 6419 B, që po lëviznin tre të rinjtë, është gjetur një masë pluhuri me ngjyrë të kuqërremtë që për nga karakteristikat e saj ngjason me atë të lëndës narkotike heroinë, me peshë 2.5 kilogramë. Gjatë një konference për shtyp, drejtori i Policisë së Elbasanit tha se finalizimi me sukses i këtij operacioni është bërë i mundur si rezultat i një pune disamujore nga ana e efektivëve të Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikeve të kësaj policie. Sipas tij, hetimet janë bërë nëpërmjet metodave speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Sherri në Bllok, identifikohet autori i plagosjes
TIRANË - Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit në Policinë e Tiranës, pasi ka identifikuar një shtetas të dyshuar si autor i plagosjes së një 18-vjeçari mbrëmë në Tiranë, po punon për kapjen e tij. Burimet e policisë bënë të ditur se "mbrëmë (dy ditë më parë) rreth orës 22:00, në rrugën ‘Ismail Qemali’ në Tiranë, për motive të dobëta u tentua të vritet me armë 18-vjeçari Marinel Guri Llaze, që gjendet aktualisht i plagosur me plumb në këmbë në Spitalin Ushtarak. I riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Specialistët kanë identifikuar autorin e plagosjes, që dyshohet të jetë shtetasi Klaidi Ndue Gjeçi, 23 vjeç, lindur e banues në Tiranë". Aktualisht strukturat e hetimit të krimit po punojnë intensivisht për kapjen e autorit të identifikuar, ndërsa materialet në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprave penale të "vrasjes me dashje" dhe të "trafikimit të armëve luftarake".
Mbrëmjen e së dielës, të shtëna me armë trazuan zonën e ish-Bllokut në Tiranë, duke shkaktuar një të plagosur. Breshëria e të shtënave ndodhi rreth orës 22:00, në një prej rrugëve të ish-Bllokut, e njohur për frekuentimin e tepërt nga të rinjtë, pasi zona popullohet nga bare dhe klube nate të shumta. Që në fillim u dyshua se shkak ka qenë një sherr mes dy grupe të rinjsh, që degjeneroi më pas në grindje fizike dhe deri në përdorimin e armëve.
Sherr mes të rinjve, një i plagosur, pranga 26-vjeçarit
DURRËS - Vihet në pranga një 26-vjeçar që plagosi me armë zjarri një të ri. Burime nga kjo polici njoftuan se i arrestuari është Xhoni Tufa, i cili në orën 02:00 pas mesnatës së datës 22 gusht, qëlloi për motive të dobëta 18-vjeçarin me iniciale K. K. Ngjarja ndodhi pranë pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit dhe pas një sherri për motive të dobëta, 26 vjeçari Xhoni Tufa nuk është përmbajtur dhe ka qëlluar në këmbë 18-vjeçarin, duke e plagosur me armë zjarri pistoletë të tipit “Bereta”. Sipas policisë, 18-vjeçari me iniciale K. K., banues në Lagjen Nr. 13 në qytetin e Durrësit ndodhet tashmë i shtruar në spitalin e qytetit jashtë rrezikut për jetën. Lidhur me këtë ngjarje policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 14-vjeçarit me iniciale E. A., lindur e banues në të njëjtën lagjen, i cili dyshohet se pas ngjarjes në fjalë fshehu armën e krimit, pistoletë, duke penguar kështu zbulimin e së vërtetës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit, pistoletë, së bashku me një krehër fishekësh. Materialet procedurale ndaj Xhoni Tufës për veprat penale të plagosjes së lehtë me dashje dhe armëmbajtjes pa leje për shtetasin në fjalë si dhe ndjekja për veprën penale të pengimit të zbulimit të së vërtetës për 14-vjeçarin E. A. i kaluan Prokurorisë së Durrësit.
Arrestohet Muça, i gjendet armë dhe 400 fishekë
SHKODËR - Një 55-vjeçar është arrestuar orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Shkodrës për armëmbajtje pa leje. I arrestuari është Shefqet Muça, banues në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër, thanë burimet zyrtare nga Policia e Shkodrës. Operacioni i policisë për kapjen e tij ka nisur pas informacioneve të policisë se 55-vjeçari qarkullonte me armë. Policia është vënë në ndjekje të tij dhe ka arritur ta ndalojë në një prej rrugëve të qytetit. Pas kontrollit në automjetin e tij “Mercedes Benz” me targa SH 10 80 B është gjetur një pushkë “20-tshe”. Pas këtij operacioni forcat e Policisë së Shkodrës, në mënyrë të menjëhershme kanë bërë dhe një tjetër operacion në shtëpinë e Muçës dhe ku është gjetur dhe një sasi e konsiderueshme municionesh si dhe një automatik “Kallashnikov”. Në banesën e tij janë gjetur: automatiku, 400 copë fishke të modeleve të ndryshme, si dhe 6 krehër fishekë model 56, tha policia lokale.
Në pranga i moshuari, dogji 30 ha pyll
TIRANË - Një person ka rënë në prangat e policisë pasi dogji aksidentalisht 30 hektarë pyll pranë fshatit Prezë të Tiranës. Policia ka arrestuar 64-vjeçarin Muharrem Kasa, pasi i moshuari ka qenë duke djegur disa mbeturina, por prej pakujdesisë flakët i dolën jashtë kontrollit dhe u përhapen në pyll. Pas bilancit të dëmeve rezultoi se veç pemëve u dogjën edhe 100 rrënjë ullinj.
24 Gusht 2010