E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet regjisori i njohur gjerman i teatrit dhe filmit Christoph Schliengensief



Schlingesief bënte pjesë në ajkën e regjisorëve më të rëndësishëm të kohës në Gjermani. Ai influencuoi mjaft botën e filmit dhe teatrit vitet e fundit. Schliengesief vdiq në moshën 49 vjeçare nga kanceri i mushkërive. Christoph Schliengensief e bëri publike vuajtjen duke i prekur të gjithë. Kufijtë mes artit dhe jetës ai i kishte thyer prej kohësh, duke korrur për këtë edhe kritika. Schliengensief herë shahej, herë nderohej si gjeni.
Artist me aftësi të veçanta
Regjisori i njohur nuk ishte thjesht një provokator i pastër. Kur vuri në skenë "Kuic 3000" në skenën e Teatrit Popullor të Berlinit, ai donte të kritikonte valën e tepruar të programeve shou-kuic në televizion dhe këtë e bëri duke cekur pikat e dhimbshme të historisë gjermane. "E di që strategjinë e provokimit e kam mësuar nga babai, i cili ishte farmacist dhe i "helmonte" njerëzit me racione te vogla helmi- kupto ilaçesh. Një porcion i vogël helmi e sjell trupin në vete dhe ky fillon të shërohet. Në thelb kjo është për mua një gjendje serioze, sepse unë vetë rregullisht merrem me temën e vetënjollosjes dhe vetë shkatërrimit”. Por këtë e kanë kuptuar shumë pak vetë, për fat të keq. Në opinionin gjerman Schliengensief shihej si një i çoroditur me humor, si një fëmi i rritur, që provokon me shumë dëshirë dhe që nuk është i vetëdijshëm për pasojat. Por ai i planifikonte shumë mirë aktivitetet e tij. Kur në vitin 2000 ai nisi aksionin e njohur pranë Operës Vjeneze, Schliengensief me kontenierin me mbishkrimin "Jashtë të huajt" dhe me kërkesën drejtuar kalimtarëve për të votuar, kush duhet ta lërë Austrinë, donte të ndizte debatin mbi politikën austriake të dëbimit. "Atëherë ishte tema 'Ne ngremë një kontenier në qendër të qytetit'. Aty ku japonezët bëjnë fotografitë e tyre, aty ku të huajt duan të shohin Vjenën e bukur, papritur shihet një kontenier "Jashtë të huajt" dhe imitimi i një stacioni treni, i pisët, me të huaj brenda, për të cilët mund të votosh, kush duhet të largohet nga vendi. Është një nismë super brutale”. Në inskenimin e parë të tij në Teatrin Popullor të Berlinit, Schliengensief i kishte udhëzuar aktorët të shkelnin me këmbë lulelakrat në formë koke. Thirrja "Vrisni Helmut Kohl-in" bënte pjesë prej kohësh në provokimet e tij më të njohura. Gjithmonë ai bënte paralelisht gjëra të tjera. Xhironte filma, inskenonte pjesë teatrale, apo dilte si moderator në televizion. Në vitin 2004 ai u ftua në Bajrojt të vinte në skenë "Parcifal".
Punoi deri në momentet e fundit të jetës së tij
Projekti i tij i fundit ishte ngritja e një fshati operistik në Burkina Faso. Ai arriti të mblidhte donacione, gjeti një arkitekt vendas dhe bëri gati planet për sezonin artistik. Opera në Burkina Faso nuk ka përfunduar ende, punimet vazhdojnë. Schliengensief ishte njeriu, që trazonte ujërat, si provokator, artist, si njeri. Ai do t'i mungojë artit gjerman.

AQSHF aktivitet në nderim të figurës së Nënë Terezës

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në bashkëpunim me Qendrën Televizive të Vatikanit, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës si dhe në kuadër të vitit jubilar të shenjtores të shpallur nga Qeveria shqiptare, kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në një shfaqje filmike të materialeve ekskluzive arkivale, nga veprimtaria e Nënë Terezës. Këto materiale të rralla, që tashmë janë pjesë e fondit arkival të AQSHF, janë mundësuar nga Televizioni i Vatikanit. Aty përmblidhet një pjesë e veprimtarisë bamirëse së Nënës Terezë në Kalkuta të Indisë, disa nga takimet e saj në vite me Papa Gjon Palin II, vizita e saj në Shqipëri përkrah Papa Gjon Palit II në prill 1993, mitingjet madhështore në Shkodër e në Tiranë, si dhe takimet me presidentin Sali Berisha dhe personalitet e larta të vendit. Shfaqja do të jetw sot ora 12.00, në kinemanë e AQSHF. Këto materiale do të shfaqen në ambiente të hapura në datën 25 Gusht 2010, ora 20.00 në qytetin e Beratit si dhe një ditë më pas më 26 Gusht 2010 pranë Muzeut Historik kombëtar.

Apoloni, zbulohet busti prej mermeri i një femre

Një zbulim i madh dhe i rrallë është bërë sërish në parkun e Apolonisë në Fier. Pas bustit që dyshohet se i përket një aristokrati romak, një tjetër bust njeriu është zbuluar ditën e sotme nga ekpi shqiptaro-francez. Bëhet fjalë për një bust femre prej femre që i përket sërish periudhës romake që përkon me shekullin e II ose të III pas lindjes së Krishtit. Busti i femrës është gjetur shumë prane vendit që u zbulua busti prej mermeri i romakut të lashtë. Ekspedita shqiptaro-franceze që po gërmon këto ditë në Apoloni, zbuloi pak ditë më parë një statujë. Statuja është busti i një romaku ndoshta aristokrat dhe sipas ekspertëve është gjetur në gjendje shumë të mirë. Vetë ekspertët, flasin për një zbulim spektakolar duke iu referuar vjetërsisë së saj, përmasave të mëdha dhe gjendjes së mirë në të cilën është zbuluar. Po kështu ditët e fundit, zbulimeve iu shtua dhe gjetja e një tjetër vepre antike me vlera të shumta historike e kulturore. Një këmbë bronxi, pjesë e një statuje romake është zbuluar nga gërmimet që kreu ekspedita shqiptaro-franceze. Nga format dhe mënyra e krijimit duket se këmba e statujës i përket një luftëtari romak. Vepra mendohet se i përket shekullit të II ose të III pas lindjes së Krishtit. Qyteti antik i Apolonisë është shpallur park arkeologjik kombëtar në vitin 2006. Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit të kaluar parku i Apolonisë është vizituar nga 32 mijë vizitorë vendas e të huaj, ndërkohë që sipas shifrave të këtij gjashtëmujori parashikohet të ketë një rritje prej 18 për qind të numrit të vizitorëve.

Nderohet vepra e Çajupit në Kuç të Labërisë
Në kuadrin e Festës së fshatit Kuç në rrethin e Vlorës, të shtunën u inaugurua edhe një monument tjetër madhështor kushtuar Andon Zako Çajupit, një prej përfaqësuesve më të shquar të Rilindjes Kombëtare, të periudhës së fundit të saj. Kuçi është një prej fshatrave më të njohur të Shqipërisë për qëndresën shekullore, ndjenjat e larta patriotike dhe kontributin e shquar në lëvizjet kombëtare dhe Çlirimin e vendit. Veçanërisht i njohur është ky fshat në krye të luftërave kundër Turqisë dhe veçanërisht ndaj Reformave të Tanzimatit në vitet 1830 – 1848. Për 30 vjet me radhë në krye të këtyre kryengritjeve ishte populli i Kuçit dhe kryekomandant i formacioneve të kësaj kryengritjeje ishte një bir i këtij fshati, figura më e njohur në të gjithë Labërinë në këtë periudhë, Zenel Hito Gjoleka. Një kontribut të veçantë ka dhënë populli i kësaj krahine gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, duke i dhënë vendit 105 dëshmorë dhe 5 heronj të popullit. Fshati është djegur e rrënuar 4 herë vetëm gjatë periudhës 1941 – 1944 nga pushtuesit italianë e gjermanë. Për këtë peshë në Historinë e Shqipërisë në gjithë zonën e Kuçit janë ngritur shumë lapidarë, përmendore e memorialë që përkujtojnë këto ngjarje. Por memoriali i ngritur për Andon Zako Çajupin është i një lloji dhe i një rëndësie të veçantë. Ai është një monument kulture dhe është vendosur në nderim të vlerësimeve që i ka bërë Çajupi natyrës dhe historisë së këtij fshati mëse 100 vjet më parë, i frymëzuar nga vizita që ai bëri në Kuç. Mendohet se Çajupi e vizitoi zonën e Kuçit, Kurveleshit dhe fshatrat e Rrëzës në verën e vitit 1887, kur ai ishte në moshën 21-vjeçare. Ndërsa 64 vargjet e kushtuara kësaj zone janë shkruar në vitin 1903 dhe janë pjesë e veprës së tij “Baba Musa Lakuriq”, e cila u botua pas vdekjes së autorit. Memoriali është një masiv shkëmbi i shkëputur në afërsi të vendlindjes së Çajupit, i dërguar për përpunim në një ndërmarrje gurpunuese në Fushë–Krujë dhe, më pas, është transportuar drejt fshatit Kuç. Shkëmbi është me përmasa 12 m2 (faqja ballore është 4 x 3 m) dhe peshon 35 tonë. Transporti nga Fushë-Kruja deri në Kuç ka qenë një histori më vete. Mbi shkëmb është vendosur një pllakë e madhe mermeri me përmasa 2,5 x 2 m në formën e një libri të hapur, ku dukshëm janë gdhendur 64 vargjet që Çajupi i kushtoi Kuçit, natyrës dhe historisë së tij. Mbi libër, në një pllakë të veçantë mermeri është gdhendur një grafikë e portretit të poetit të Madh, Çajupit, ndërsa në një pllakë tjetër është veçuar data kur Çajupi e vizitoi Kuçin dhe zonat përreth. Sheshi përreth, në të cilin janë mbjellë edhe një sasi pemësh (rrepe të rinj), është menduar si një vendpushim për udhëtarët, me stola shkëmbi për t’u ulur, si dhe një krua me gurë, sipas formës tradicionale që ndërtohen krojet në Kuç. Ky krua do të ketë një pllakë të gdhendur me gurë, mbi të cilin do të shkruhet “Kroi i Çajupit”. Ideja për vendosjen e këtij memoriali ka qenë e deputetit Fatmir Toçi, origjina e familjes e të cilit është nga ky fshat, i cili, së bashku me biznesmenin dhe pronarin e një kanali televiziv në qytetin e Vlorës Edi Leli dhe drejtorin e Qendrës Kulturore “Jeronim” në Vlorë Gentian Hoxhaj, edhe këta me origjinë po nga ky fshat, e kanë mundësuar realizimin e tij, ashtu siç kanë bërë për një sërë investimesh të tjera socialkulturore në këtë zonë.

24 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›