Incidente në takimet e PDS në Dibër-Bulqizë, Milo akuzon Gjanën
Tubimet politike të opozitës dje në Qarkun e Dibrës janë shoqëruar me incidente. Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo dhe mbështetësit e tij janë përballur me pengesa të shumta, teksa ai prezantonte kandidatët për deputetë në qytetin e Peshkopisë dhe atë të Bulqizës. Në orën 10 të paradites salla e Qendrës së Edukimit Qytetar Peshkopi ishte tejmbushur për të mbështetur kandidatin kryesor të PDS-së Paskal Milo për shkak të lidhjeve të ngushta, që ai ka pasur me këtë rreth, ku vite më parë ishte deputet. Tre herë kanë tentuar drejtuesit e opozitës të bindin drejtuesit e Filialit Elektrik të mundësonte furnizimin me energji elektrike të sallën kryesore, aty ku ishte lajmëruar tubimi politik. Kur ka kaluar një orë pritje pjesëmarrësit kanë dalë jashtë sallës dhe janë tubuar në oborrin e QEK-ut Peshkopi. Ndërkohë teksa Milo mbante fjalën është konstatuar se persona civilë kanë ndërhyrë dhe kanë tentuar të largojnë njerëzit nga mitingu elektoral. Nëse mungesën e energjisë dhe presionin e ushtruar në Dibër Milo nuk e konsideron si ndonjë incident të rëndë, ai shprehet se në Bulqizë ka parë me sytë e tij skemat e 28 majit në sheshin kryesor të Tiranës, në sheshin “Minatori” ishte njoftuar të mbahej tubimi. Njoftimi ishte dhënë nëpërmjet medias lokale dhe ndërkohë një kopje e këtij njoftimi kishte mbërritur dhe në komisariatin e policisë. Mirëpo për afro tre orë sheshi është bllokuar sipas Milos, nga njerëz me uniformë policie dhe persona civilë të armatosur. Megjithëse, sheshi ishte i boshatisur Milo ka akuzuar drejtpërdrejt ministrin e Bujqësisë, Jemin Gjana si shkaktarin e kësaj ngjarje të rëndë. “Për rreth tre orë Jemin Gjana dhe shtabi i tij elektoral ishin mbledhur në zyrat e bashkisë dhe kishin urdhëruar të mos zhvillohej mitingu ynë elektoral. I demaskuam këto përpjekje publikisht për qytetarët që ishin të detyruar të qëndronin larg, por unë dhe drejtuesit e opozitës po kuptojmë se ky është një shtet që ngjall terror, frikë e dhunë si në vitin 1996”. Ndërkaq, policia e qarkut Peshkopi mohon incidentet. “Pretendimet e Paskal Milos për dhunë nuk qëndrojnë dhe ai gjatë fjalës së tij në shesh nuk e ka përmendur këtë fakt”, thuhet në deklaratën e policisë së Dibrës. Ndërkohë, Milo deklaroi mbrëmë për “Panorama” se ka filmuar njerëz civilë të armatosur, që nuk lejonin qytetarët të mblidheshin në shesh. h.p