Rama, premtime për emigrantët
Aristir Lumezi
Kryetari i Partisë Socialiste i ka kërkuar emigrantëve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Greqi të vijnë për të votuar në 28 qershor. Edi Rama ka qenë në qytete Volos, Trikala në Veri-Perëndim të Greqisë ku ka zhvilluar takime masive me emigrantët shqiptarë. “Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj, ne kemi nevojë që ju të vini në Shqipëri dhe të votoni më 28 qershor. Unë ju jap fjalën, ju jap fjalën se është hera e fundit që për të shprehur vullnetin tuaj juve duhet të bëni rrugë për të shkuar në qytetin apo fshatin tuaj në Shqipëri, herën tjetër ne do të garantojmë votën tuaj nga këtu ku jeni”, tha Rama. Kreu socialist është ndalur dhe në takime me autoritet greke atje ku ka takuar kryetaren bashkisë së Volosit dhe prefektin e qarkut, si dhe deputetë të rajonit Volos. Rama ka falënderuar autoritet atje për ndihmën që u japin shqiptarëve për integrimin e tyre në Greqi. Në një takim me emigrantët në Trikala, Edi Rama dhe drejtuesit e PS që e shoqëronin, Blushi, Dalipi, Tavo e Ahmetaj kanë premtuar se PS në qeverisje do të bëjë më shumë për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe përmes një kanali të dytë të televizionit publik në gjuhën shqipe. Kreu i PS ka premtuar shërbime në ambasada sipas standardeve evropiane, ku dinjiteti i emigrantit nuk do të nëpërkëmbet më. “Marrëveshje dypalëshe mes Greqisë, Italisë e Shqipërisë për njohjen e periudhës së sigurimeve, për efekt pensioni”, ishte një nga premtimet që Edi Rama u ka bërë shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Greqi. Kryesocialisti Edi Rama ka bërë thirrje shqiptarëve të vijnë në atdhe në 28 qershor e të japin kontributin e tyre për të ardhmen, duke u premtuar se kjo është hera e fundit që ata do të jenë të detyruar ta bëjnë këtë, pasi qeverisja e PS e pas 28 qershorit do të miratojë në Kuvendin e ri një Projektligj për votën e emigrantëve. “Ne nuk ju premtojmë, por angazhohemi që duke i dhënë fund ecejakeve tuaja dhe radhëve të pafundme në kufij për të marrë një copë letër këtu dhe një copë letër atje. Duke i dhënë më në fund mundësinë çdo kujt prej jush që të hyjë dhe të dalë nga Shqipëria sa herë të dojë. Ne, gjithashtu, do t’i japim mundësinë çdo kujt prej jush që një sërë shërbimesh, të cilat sot ju nuk mund t’i merrni dot prej ambasadës, me ardhjen tonë në qeveri t’i merrni në ambasadë”, tha Rama.