E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qetsori i “Big Brother”: Politika është sfida ime, s’do jem ushtar i askujt

 

ADI SHKEMBI

Fituesi i “Big Brother”, Qetsor Ferunaj premton se nëse do të zgjidhet deputet nuk do të jetë ushtar i asnjë force politike, por do të mbrojë interesat e qytetarëve të Vlorës. Në të parën intervistë në përfundim të këtij spektakli, për gazetën “Panorama”, thotë se politika i pëlqen, por shton se në këtë garë të 28 qershorit do të ndikojë edhe eksperienca e fituar në “Big Brother”.
Ju keni zgjedhur një parti të qendrës së djathtë për të kandiduar në 28 qershor, a përkon kjo me bindjet tuaja politike? Nëse do të kishit një ofertë nga PS-ja do ta pranonit?
Jam me bindje të djathta dhe jam ndër drejtuesit e degës së PDK-së në Vlorë, pra kam kohë që jam i aktivizuar tek demokristianët. Kam gjetur veten time tek alternativa kristian-demokrate dhe do të përpiqem që ta përfaqësoj këtë alternativë në jetën politike. Ofertat e tjera janë pa interes për mua, pasi kam dhënë dhe do jap kontribut vetëm tek Partia Demokristiane.
Përse vendosët të kandidoni për Partinë Demokristiane, ndërkohë që po të kishit kandiduar për një nga dy partitë e mëdha, PD apo PS, do ta kishit të sigurt mandatin e deputetit?
Te merresh me politikë nuk do të thotë medoemos që të jesh deputet, unë kam vite që merrem edhe pa qenë deputet. Kolegët e mi dhe anëtarësia e PDK-së së Vlorës më kanë propozuar për kandidat përpara se unë të hyja në “Big Brother”. Dhe kryesia qendrore e PDK-së dhe kryetari i saj Ndoka tashmë kanë vendosur që unë të kandidoj në Vlorë. Për këtë ndjehem i vlerësuar dhe i sigurt që do të fitoj. Partitë nuk lindin të mëdha, ato krijohen me 200 ose 300 firma. PS është krijuar para 50 viteve me 200 komunista “petrita lule”, PD-ja është krijuar me 300 intelektualë, ku sot shumë pak prej tyre janë tek kjo parti. Unë aderoj në një parti që po rritet dita-ditës, falë alternatives evropiane që përfaqëson, por edhe qëndrimeve dinjitoze të deputetëve të kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë. Besoj se PDK-ja dhe “Poli i Lirisë” do të jenë surpriza e zgjedhjeve, mund të jenë më të mëdha dhe përcaktuese nesër.
Fama që u dha “Big Brother” sa mendoni se do të ndikojë në fushatën tuaj elektorale, kur dihet se Vlora është një bastion i majtë?
Jam një hap me përpara se kolegët e mi, për arsye se tashmë më njohin të gjithë se kush jam dhe se çfarë përfaqësoj. Jam një familjar shembullor dhe PDK-ja familjen dhe vlerat e saj i ka bazë të programit politik. Marr përgjegjësi dhe kam krijuar siguri edhe tek ato që nuk më kanë njohur më parë, se do të di t’i përfaqësoj nesër në Kuvendin e Shqipërisë, pa u bërë ushtar i askujt, por vetëm avokat i zgjedhësve të mi që do të më votojnë.
Lajmi për kandidimin tuaj u dha kur ju ishit ende në “Big Brother”. Akordi mes jush dhe PDK-së u bë para se të hynit në këtë spektakël, apo e morët vesh pasi dolët nga shtëpia?
Kisha dëgjuar diçka përpara se të hyja, por isha i preokupuar më shumë për lojën në “Big Brother”, pra ta fitoja atë. Kur dola mora vesh çdo gjë dhe tani ndjehem i obliguar dhe i motivuar për të fituar sfidën e radhës.
Cili është reagimi i njerëzve në Vlorë, të cilët pasi i keni kërkuar t’ju mbështesin me anë të mesazheve, tani i kërkoni dhe votën?
Më kanë mbështetur shumë nga të gjitha anët, besoj vlonjatët e mi më shumë. Kam marrë mesazhe pa fund nga Shkodra, Burreli, Saranda, Tirana etj., të gjithë më inkurajojnë që të vazhdoj më tej, politikën e njoh aq sa më duhet që të gjej “çelësin” për të fituar. Kam fituar një garë me më pak rivalë, tani kam më tepër rivalë, por kam besim se bashkëqytetarët e mi do të më mbështesin më shumë se në “Big Brother”. Aty fitova për vete, në politikë do të fitoj për t’i përfaqësuar edhe ato në mënyrë dinjitoze. PDK-ja në Vlorë është e përfaqësuar në çdo komunë dhe në bashki, me këshilltarë edhe në Qark, pra unë futem në garë me një mbështetje edhe të strukturave të Partisë Demokristiane. Kam besim që do të më mbështesin edhe shumë qytetarë të tjerë, të cilët kanë parë dhe shohin tek unë veten e tyre, do të di t’i kërkoj votat dhe t’i përfaqësoj ata nesër.
Tani që dolët dhe i jeni futur politikës, deri ku mendoni se do të shkoni në këtë fushë dhe a e shikoni të ardhmen në politikë apo në spektakël?
Të ardhmen e shoh në politikë, pasi kam qenë pjesë e saj deri tani në nivel lokal. Por nuk i dihet, nëse flas si politikan, asnjëherë nuk thuhet kurrë! Nuk i dihet se çfarë mund të bej tjetër në vazhdim, mundësitë ekzistojnë dhe vullneti nuk më mungon. Politika realisht më pëlqen, ndoshta më ka ndihmuar si eksperiencë edhe në garën e “Big Brother”.
Ju fituat 50 mijë euro gjatë emisionit “Big Brother”. A do t’i përdorni ato për fushatë?
Jo, nuk do t’i përdor vetëm për fushatë. Fushatën nuk do ta ndërtoj duke u mbështetur tek lekët, por tek njerëzit dhe strukturat e Partisë Dem-okristiane.

Nga “Big Brother” në politikë

Fituesi i edicionit të dytë të “Big Brother”, Qetsor Ferunaj nuk është i vetmi personazh i këtij spektakli që kalon në politikë. Veç kandidatit të Partisë Demokristiane, një tjetër personazh i njohur është Dritani, i cili do të kandidojë me Lëvizjen Socialiste për Integrim në qarkun e Gjirokastrës. Edicioni i dytë i “Big Brother” duket se mban rekordin për produktet e tij që kalojnë në politikë. Pak ditë më parë Adi, finalisti tjetër i këtij show, pranoi të kandidonte për G99 në këto zgjedhje, por që u tërhoq pak ditë më vonë. Por pjesëmarrësit e “Big Brother” nuk gjenden vetëm në listat e partive politike. Në konventën elektorale të Partisë Demokratike ku u prezantua programi për katër vitet e ardhshme binte në sy, pjesëmarrja në rreshtin e parë të Zhulietës, konkurrentes së edicionit të dytë dhe Inës, konkurrentes së edicionit të parë të “Big Brother”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›