E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Në tingujt e vendeve" sjell këngët e Minës në qytetin bregdetar

Koncerti i zhvilluar në kuadër të turit të njohur artistik "Nei suoni dei luoghi - Në tingujt e vendeve", prezantoi në Durrës solisten Lorena Favot dhe tastieristin Rydy Fantin. Të dy artistët e ardhur nga rajoni i Friulit (Itali) interpretuan disa nga pjesët më të mira muzikore të këngëtares më të njohur italianë të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të Mina. Anna Maria Mazzini, e njohur në art me emrin Mina, ka nisur të këndojë në vitin 1958, duke u bërë shumë shpejt zëri më përfaqësues i Italisë në botën artistike. Vokali i fuqishëm dhe komunikimi mjaft i mirë interpretativ i solistes Favot dhe njohja shumë e mirë e muzikës xhaz nga tastieristi Fantin sollën një vizion të ri për këngët e Minës, ndërsa herë pas here programi ndërthurej me muzikën amerikane xhaz. Artistët italianë, që vinin për herë të parë në Shqipëri, pavarësisht nga formimi muzikor individual, kanë nisur të bashkëpunojnë 10 vjet më parë. Muzika xhaz përbën një eksperiment interesant në këtë edicion të veprimtarisë "Nei suoni dei luoghi". Pas koncertit në Durrës, Favot dhe Fantin do të paraqiten këto ditë para publikut në qytetet e Fierit, Lushnjës dhe në Tiranë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›