"Orfeo dhe Euridiçe", dy të dashuruar në Apoloninë antike
Opera e kompozitorit Christoph Gluck, "Orfeo dhe Euridiçe" do të shfaqet nesër në odeonin e Apolonisë në Fier. E ardhur nga Greqia, do të jetë sopranoja Rosa Poulimenu, e cila do të interpretojë në rolin e Euridiçes, në rolin e Orfeut do të vijë Kolidana Laze, ndërsa në të Amores, Sindi Mamaqi. Solistët do të shoqërohen në skenë prej korit Mix nga Selaniku, i cili do të drejtohet prej dirigjentit Mairi Kostandinidhu. Ndërkaq, Edmond Doko është përzgjedhur dirigjent i veprës, e cila do të vijë nën regjinë e Nikolin Gurakuqit. "Orfeo dhe Euridiçe" është një operë lirike, e cila u shfaq për herë të parë në Burgteatër të Vjenës më 5 tetor të vitit 1762. "Orfeo dhe Euridiçe" është opera më e njohur dhe më përfaqësuese e kompozitorit Gluck dhe në të njëjtën kohë përbën hapin e parë thelbësor të asaj që u cilësua si "reforma glukiane". Numri i pakët i personazheve (Orfeo, Euridiçe dhe Amore), si dhe thjeshtëzimi i subjektit janë shenja të kësaj reforme. Aksioni teatral është i ndarë në tri akte. Në të parin zhvillohet ceremonia funebre e Euridiçes, e ndërprerë disa herë nga Orfeo që i shtrirë në tokë thërret të dashurën. Akti i dytë zhvillohet në Ade, ku Orfeo me këngën e tij josh perënditë e nëndheshme, duke i bindur që t‘i kthejnë Euridiçen. Orfeo merr të dashurën dhe nis udhëtimin drejt jetës. Në aktin e tretë Orfeo drejton Euridiçen drejt dritës; por në një moment, kthehet për ta parë duke e humbur përgjithnjë. Ai vendos të vetëvritet, kur ndërhyn Amore, e cila e informon se perënditë, të mallëngjyer, kanë vendosur t‘i kthejnë të dashurën. Opera përcjell fundin e lumtur në një tempull kushtuar dashurisë.