Incidentet në Kosovë, mbyllet kufiri me Serbinë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi bëri të ditur se pas incidenteve të mëngjesit në pikëkalimin me Serbinë, në Merdar, Kosova ka mbyllur përkohësisht kufirin.
Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Rexhepi raportoi për incidentet, që kanë ndodhur sot në Mitrovicë e në Merdar, si pasojë e sjelljeve huligane të grupeve e individëve ekstremistë serbë.
Ai tha se në këto incidente janë lënduar 32 policë, por asnjë me armë zjarri dhe asnjë nuk është në gjendje të rëndë. Ministri Rexhepi po ashtu tha se nuk janë përdorur armë as nga policia, as nga serbët.
Incidentet kanë ndodhur pasi dy autobusë me serbë u ndaluan në Vushtrri nga Policia e Kosovës, të cilët jo vetëm që provokuan policinë por hodhën gurë mbi policët e Kosovës.
Për pasojë 32 policë u plagosën, nga të cilët 9 kanë marrë ndihmë mjekësore në QKUK.