E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Incidentet në Mitrovicë, vepër e grupeve kriminale"

Ditët e fundit janë shënuar disa incidente në Veri të Mitrovicës. Autoritetet kosovare vlerësojnë se gjendja e sigurisë në Kosovë është e kënaqshme, me përjashtim të pjesës veriore të Mitrovicës, e cila është tronditur ditët e fundit nga një numër incidentesh. Në fundjavën e kaluar kanë ndodhur dy shpërthime te "Tre Rrokaqiejt", në veriun e Mitrovicës, duke shkaktuar dëme materiale. Situata në Veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe, është tensionuar ndjeshëm që pas shpalljes së pavarësisë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti, u shpreh për BBC-në se incidentet janë shkaktuar nga grupe kriminale dhe nuk kanë prapavijë etnike. Ai tha se institucionet janë në rrugë të mirë të shtrirjes së pushtetit të tyre edhe në Veri të vendit dhe forcimit të sundimit të ligjit. "Ende jemi në një kohë kur nuk i kemi të konsoliduara të gjitha institucionet në Veri dhe kjo shkakton telashe në jetën normale të njerëzve atje. Por është e rëndësishme të thuhet se situata e sigurisë në përgjithësi është stabile dhe ka shenja pozitive të ndërtimit të institucioneve në të gjithë territorin, sidomos pas vendosjes së EULEX-it dhe vendosjes së pikave doganore", u shpreh ministri Pajaziti.

Ndërkohë, deputeti i opozitës, Naim Maloku, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Siguri, vlerësoi se që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk ka pasur kërcënime serioze të sigurisë. Ai thotë se incidentet në Veri të Mitrovicës kanë qenë të pritshme. Maloku i konsideron ato si një çmim që po paguan Kosova për shpalljen e pavarësisë së saj, që vazhdon të kundërshtohet nga serbët. "Po e paguan Kosova dhe do ta paguajë një haraç. Ne duhet të vetëdijesohemi dhe t‘i shikojmë gjërat realisht. Nuk them se qeveria e Kosovës i ka marrë të gjitha masat që janë dashur. Qeveria është dashur që më 18 shkurt t‘i mbledhë të gjitha partitë politike dhe të diskutojë se çfarë po bëjmë tani si Kosovë, sepse me këtë sfidë nuk mund të përballet vetëm pushteti", tha ai.

Nga ana tjetër, sekretari i Shtetit në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, mendon se problemet e sigurisë kanë një dimension më të gjerë se sa vetëm në Veri të Kosovës. "Problemi nuk është vetëm në Veri. Problemi është në tërë Kosovën, është e qartë se statusi e ka thelluar ndarjen ndërmjet dy komuniteteve. Nëse nuk ka bisedime, madje edhe të tërthorta ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, kam frikë se gjendja nuk do të jetë e mirë as në të ardhmen. Edhe më tutje, do të politizojmë çdo incident të këtillë, edhe njëra palë, edhe tjetra, dhe kjo sigurisht nuk do të sjellë përmirësim", u shpreh zoti Ivanoviq.

Situata e brishtë e sigurisë në Veri të Mitrovicës ka bërë që banorët shqiptarë të lagjes së Boshnjakëve, në fund të javës së kaluar, të protestojnë dy ditë me radhë para ndërtesës së qeverisë. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, tha se qeveria u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të banorëve për shtim të masave të sigurisë. "Ne kemi shtuar masat e sigurisë sidomos pas incidenteve. Përveç njësive speciale, këto ditë kemi vendosur edhe patrullime të përziera të policisë dhe kemi ndërmarrë hapa për luftimin e krimit, që është një element determinues i kësaj situate që mbretëron", theksoi Pajaziti.

Ndërkaq, opozita ka kritikuar qeverinë se po vonohet me formimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Por qeveria po hedh poshtë kritikat e opozitës. Ministri Pajaziti mohon se mosformimi deri tani i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe Këshillit Kombëtar të Sigurisë po e dëmton sigurinë e qytetarëve. "Pak po mistifikohen këto çështje, sidomos tek institucioni i Inteligjencës. Natyrisht që sa më herët që të formohet, aq më mirë, por ky është një institucion i rëndësishëm. Ju e dini sa i ndjeshëm është ky proces dhe sa me rëndësi është ky mekanizëm, prandaj Kryeministrit dhe Presidentit i duhen më shumë konsultime me ndërkombëtarët për të bërë një zgjidhje më të mirë", përfundoi ministri Pajaziti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›