Skandali i misrit, incident i rëndë në Kuvend
TIRANË- Skandali i misrit “shterp” është bërë objekt i zhvillimeve kryesore dje edhe në Kuvendin e Shqipërisë, jo vetëm në sallën e seancave plenare, por edhe në korridoret e tij, ku është shënuar një incident i rëndë mes deputetëve të opozitës dhe Gardës së Republikës. Shkak është bërë pikërisht përpjekja e forcave të sigurisë së Kuvendit për të ndaluar me forcë dy deputetët socialistë, Andis Harasani dhe Ndriçim Hysa, të cilët kërkuan të fusnin në sallën e seancave plenare disa kallinj misri bosh, pa kokrra, si dëshmi e gjallë e asaj katastrofe që ka përfshirë qindra familje që jetojnë sot në fshat dhe që janë prekur nga pasojat e një skandali të tillë. Burime që kanë parë nga afër këtë ngjarje, kanë bërë të ditur se punonjësit e Gardës i kanë kërkuar deputetëve socialistë që të dorëzonin qesen me misra, duke i bërë të qartë atyre se, sipas Rregullores së Kuvendit nuk lejoheshin që të futeshin në sallë mjete që mund të dëmtojnë zhvillimin e mbledhjes. Por një pretendim i tillë është kundërshtuar nga deputetët, të cilët mësohet të jenë shprehur se kishin kaluar konform të gjitha rregullave aparaturat elektronike të kontrollit në hyrje të Kuvendit dhe mjetet për të cilat pretendohej se mund të prishin mbledhjen e seancës plenare nuk ishin gjë tjetër veçse disa kallinj të njomë misri steril. Pavarësisht përpjekjeve për t’u sqaruar, situata është përshkallëzuar për keq dhe dy deputetët, Harasani dhe Hysa janë përplasur edhe fizikisht me punonjësit e shërbimit të Gardës. Deri këtu, të dyja palët mbajnë qëndrime të njëjta, duke pranuar edhe përplasjen fizike mes tyre, por duke mohuar secila fajësinë për incidentin e ndodhur.
Ndriçim Hysa
Kështu, sipas deputetit socialist Ndriçim Hysa ishin gardistët ata, që të urdhëruar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë provokuar deputetët socialistë, duke u përpjekur edhe fizikisht që të merrnin me forcë misrat që mbanin me vete. “Kemi marrë pesë kallinj misri steril pa kokrra, që përfaqësonin pesë qarqe të cilat janë prekur nga ky skandal që ka për autor shtetin. Misrat pa kokrra i kishim të hapur dhe u futëm në Kuvend, ndërkohë që Jozefina u tmerrua dhe i jep urdhër Gardës që të mos futen. Ndërkohë Garda,e detyruar nga urdhri që i erdhi nga Jozefina u sulën drejt nesh, pra drejt meje dhe Harasanit, duke na thënë se kemi marrë urdhër nga kryetarja që mos të futen misrat në sallë. Ne i thamë se kemi kaluar në skanerin në hyrje të Kuvendit dhe aty kemi rezultuar të rregullt, prandaj u kemi kërkuar që të hapin rrugën, duke i bërë të ditur njëkohësisht se ishin pesë kallinj misri pa kokrra. Por ata në mënyrë brutale, dhe kuptohet që ishin të gjithë njerëzit që ka vendos Jozefina për ta mbrojtur, nuk u bindën. Pra, ky është një incident i krijuar nga vetë Kryetarja e Kuvendit. Atë dhunim që duan t’i bëjnë medias, tani po e kalojnë edhe ndaj deputetëve, duke i goditur ata”, - tha Hysa.
Gardisti Nika Por një qëndrim krejt tjetër për ngjarjen mbajnë vetë punonjësit e Gardës që janë përfshirë në këtë incident. Oficeri i Gardës, Arben Nika, nëpërmjet një deklarate me shkrim dore, ka dhënë një panoramë tjetër të kësaj ngjarjeje, duke theksuar se ishin deputetët ata që nuk iu bindën urdhrave të nxjerra nga vetë Kuvendi. “Në orën 10 e 30, gjatë kontrollit mbi shërbimin e hyrje-daljes në fundin e sallës së seancave plenare, deputetët Andis Harasani dhe Ndriçim Hysa kundërshtuan dhe refuzuan të kontrollohen, duke tentuar të fusin në sallë objekte të ndryshme që bien ndesh me vendimin e Byrosë Parlamentare. Në cilësinë e komandantit të grupit të sigurisë i kam kërkuar që ato nuk lejohen që të futen në sallë dhe kam bllokuar derën. Në këtë moment më ka goditur, duke më rrëzuar në tokë, ku si pasojë e kësaj kam pësuar një çarje në këmbë”,- shprehet oficeri i Gardës, Arben Nika në deklaratën e vet, pa cituar se cili deputet kishte ndërmarrë një veprim të tillë. Situata e rëndë është përcjellë më pas edhe në sallën e Kuvendit, kur deputeti Ndriçim Hysa ka vendosur dy prej kallinjve të misrit pa kokrra në tavolinën ku qëndron kryeministri Sali Berisha, që më pas u hoqën nga oficerët e Gardës. Ndërkohë kjo çështje është bërë objekt edhe i debateve të ashpra midis deputetëve socialistë dhe ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana. Deputeti socialist, Taulant Balla, deklaroi se kompania që pajisi me farën e misrit pa kokrra fermerët shqiptarë është shtetërore dhe është në pronësi të kryebashkiakut demokrat të Vorës. “Të dhënat e publikuara nga ministri i Bujqësisë janë të pavërteta pasi harta e zonave të prekura nga ky fenomen është shumë më e lartë”, - ka deklaruar Balla. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana, i cili i cilësoi deklaratat e Ballës si mashtrime, duke theksuar se ministria po monitoron situatën dhe fermerët e prekur do të dëmshpërblehen.