E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidenti, Policia rrethon me tre kordonë policësh Ramën

Autori i Lajmit: Redaksia
Policia rrethon me tre kordonë kryebashkiakun Edi Rama, gjatë kohës që po fliste në protestën e bashkiakëve para Këshillit të Ministrave. Në emër të Partisë Socialiste, zëdhënësja e partisë më të madhe të opozitës, Armela Imeraj, shprehu dje “indinjatën e njëkohësisht keqardhjen për keqpërdorimin e Policisë së Shtetit në tubimin e bashkive dhe komunave ku qeverisin të zgjedhurit socialistë e progresistë”.

Reagimi i PS-së

Imeraj tha se prania masive policore, sipas saj, në shkallët e Kryeministrisë dhe këmbëngulja e drejtuesve të policisë për të mos lejuar vendosjen e kërkuar nga organizatorët, ishte një gabim i papranueshëm policor. “Vendosja e tre rreshtave me policë në shkallët e kryeministrisë dhe këmbëngulja e drejtuesve të policisë për të mos lejuar vendosjen e kërkuar nga organizatorët duke provokuar të pranishmit, si edhe qëndrimi i uniformave në kurriz të kryebashkiakëve e kryekomunarëve opozitarë, ishin shprehje të padenja për Policinë e Shtetit, të cilat padyshim frymëzohen nga pushteti i Sali Berishës, që po humbet përditë fillin e arsyes”, - deklaroi Imeraj.

Justifikimi i Policisë

Ndërkaq, policia e Tiranës reagoi me një deklaratë shtypi në lidhje me akuzat e Partisë Socialiste për konfrontim mes punonjësve të rendit dhe pjesëmarrësve në protestën e pushtetarëve lokalë socialistë, zhvilluar dje para ambienteve të Kryeministrisë.
Në deklaratë thuhet se 5 minuta para orës së lajmëruar për protestën, organizatorët ndryshuan vendin e tubimit duke mos i shërbyer kështu mbarëvajtjes së aktivitetit. “Pas kërkesës së Partisë Socialiste Dega Tiranë, të datës 13.11.2009, në të cilin njoftohej zhvillimi i një mitingu të organizuar nga kjo forcë politike, përpara godinës së Kryeministrisë në orën 12.00 të datës 15.11.2009 dhe në zbatimit të Ligjit Nr.7773 datë 23.04.2001 “Për tubimet”, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë janë marrë këto masa :

1. Janë njoftuar me shkrim organizatorët, për gadishmërinë e policisë, që në respekt të ligjit të garantojë zhvillimin normal të këtij tubimi.
2. Në zbatim të detyrimeve ligjore, janë njoftuar me shkrim për zhvillimin e këtij tubimi, Prefekti i Qarkut Tiranë dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranë.
3. Është bërë planizimi i shërbimeve të policisë, duke parashikuar e vendosur në vende shërbim punonjës policie në trotuarin para godinës së Kryeministrisë, në trotuarin para godinës së Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe duke bllokuar totalisht trafikun në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga ora 11.55” e deri në përfundim të aktivitetit.
4. Është marrë takim me organizatorët para fillimit të tubimit, në kohën kur ishin vendosur në shërbim punonjësit e policisë dhe nga ana e tyre nuk janë shprehur rezerva apo sygjerime për mënyrën e vendosjes së shërbimeve të policisë. Në këtë tubim shërbimet e policisë janë organizuar në menyre standarte sic janë vendosur edhe në të gjitha tubimet e oranizuara më parë nga Partia Socialiste apo subjekteve të tjera politike”, tha policia.
Zëdhënësja alma Katragjini, reagoi në lidhje me akuzat e zëdhënëses së Partisë Socialiste, mbi zhvillimin e këtij tubimi, duke deklaruar se:

Jemi te bindur se nuk është përgjegjësi e Policisë së Shtetit dhe as detyrim ligjor i saj, përcaktimi i vendit të vendosjes së podiumeve apo foltoreve në tubime apo aktivitete të forcave politike. Po kështu mendojmë se, prezenca e policisë në tubimet e forcave politike nuk ka shqetësuar dhe as nuk do të shqetësojnë pjesëmarrësit dhe organizatorët në këto aktivitete.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, është e bindur se shkaku për incidentin e krijuar përpara fillimit të tubimit të Partisë Socialiste duhet kërkuar në mos marrjen e masave logjistike nga ana e organizatorëve të tubimit dhe jo tek Policia e Shtetit. Kërkesat për ndryshimin e vendit të vendosjes së podiumit, vetëm 5 minuta para fillimit të mitingut është e qartë se nuk i shërben zhvillimit normal të tij”.

Ultimatumi

“Plotësoni kushtet deri në 5 dhjetor!”

Të zgjedhurit e PS-së dhe partive opozitare i kanë bërë apel kreut të qeverisë të heqë dorë nga cenimi i autonomisë vendore. Pas protestës para godinës qeveritare ata kanë nënshkruar një memorandum ku listohen një sërë kërkesash drejtuar qeverisë, të cilat duhet të shqyrtohen deri më 5 dhjetor.
"Ne kërkojmë angazhimin tuaj për plotësimin e 5 kushteve tona deri në 5 dhjetor", deklaroi Rama, i cili foli i fundit në protestën e zhvilluar, duke theksuar se sot firmoset edhe apeli publik drejtuar Berishes, ku i kërkohet ti jepet fund politikës antidemokratike, antikushtetuese dhe antiligjore ndaj pushtetit vendor.
Sipas tij, nga paaftësia e qeverisjes, qytetarëve të Tiranës dhe jo vetëm, u shkaktohen gjithnjë e më shumë probleme. "Qeveria nuk do dhe nuk di ti zgjidhë problemet", - tha Rama.
Kërkesat e vendorëve janë: Anulimi i amendamentit për taksat vendore, anulimi i vendimit që i konsideron bizneset e vogla, si të mëdha, kompensimi i të ardhurave nga përgjysmimi arbitrar i taksave të biznesit, dhënia fund e praktikës së granteve për nevojat e funksioneve vendore dhe aplikimi i taksave të ndara.
Kryetari i Bashkisë së Pogradecit ka theksuar se tashmë kanë më pak të ardhura nga taksta e bizneseve, mbledhin 1/10 e asaj që mblidhnin deri dje. "Ky është diskretitim për kryetarët e bashkive dhe komunave të PS-së dhe aleatëve të saj"- tha ai, duke shtuar se bashkia e Pogradecit është klasifikuar si bashki socialiste e për këtë në 12 projekte të paraqitura ka përfituar vetëm 1.
"Në buxhetin e 2010, ne kemi 35% më pak të ardhura pra 100 milionë lekë të reja më pak"- tha më tej ai.
Protestuesit i tërheqin vëmendjen kryeministrit të vendit, Sali Berisha të mos cenojë autonominë e pushtetit vendor dhe të mos fusë duart në taksat vendore.
Protesta vjen pas disa takimeve që të zgjedhurit vendorë kanë bërë mes tyre, madje edhe pasi kanë njoftuar ndërkombëtarët lidhur me shqetësimet e fundit, të ndërhyrjes qeveritare të autonominë vendore.
Pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, së bashku me krerë të bashkive opozitare në vend takuan Ian Micallef, Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës.
Pas takimit Rama deklaroi se e kishte njohur Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale me të gjitha shqetësimet e pushtetit vendor në Shqipëri. "I shpreha Presidentit të Kongresit të Autoriteteve Lokale gjendjen alarmante të autonomisë vendore dhe presionin skandaloz të kësaj qeverie ndaj bashkive dhe komunave të opozitës në mënyrë të veçantë, por njëkohësisht edhe sjelljen tërësisht abuzive ndaj pushtetit vendor.
E njoftova për masat që ne po marrim, në drejtim të një proteste të fortë dhe të gjatë, deri kur qeveria të kthehet në rrugën e respektimit të autonomisë vendore, të Kartës Evropiane të Autonomisë, Kushtetutës dhe Ligjit dhe të heqë dorë nga keqtrajtimi i njësive vendore të opozitës si dhe nga rruga pa krye që bie në kundërshtim me procesin e decentralizimit të shëndetshëm, për të gjitha njësitë vendore të vendit dhe për vendin në tërësi", u shpreh Rama.

Ky lajm është publikuar: 16/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›