E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti i Lezhës, një turp

Besnik Mustafaj

Ish-ministri i Jashtëm i kërkon Kryeministrit të shkarkojë kreun e Bashkisë së Lezhës.

Mustafaj: Presidentit smund ti hiqet e drejta e fjalës.

Ish-ministri i Jashtëm dhe deputet i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, e cilëson si të turpshme atë që ndodhi dy ditë më parë në Lezhë, ku kreu i shtetit nuk mori pjesë në 568-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës për shkak se i ishte hequr fjala nga Protokolli i Shtetit. Në një mesazh të lënë në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ish-kryediplomati shqiptar dhe një nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit Sali Berisha, shprehet se kreu i shtetit është i vetmi që mund të vendosë vetë se ku do të flasë dhe kur. Unë isha në fshat dhe atje nuk kam internet. Por mora vesh turpin që kishte ndodhur sot në Lezhë dhe nuk mund të rrija më në strofkën time. Pavarësisht nga kompetencat, me Kushtetutë dhe me moral, Presidenti është kryetar i shtetit tonë. Vetëm atij nuk mund ti hiqet e drejta e fjalës. Ai është i vetmi me tagrin e plotë ta caktojë vetë kur dhe ku dëshiron të flasë. Të gjithë të tjerët vijnë pas tij, shprehet Mustafaj. Madje ai i sugjeron kreut të qeverisë të shkarkojë kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, për atë që ndodhi, nëse nuk e ka urdhëruar vetë. Kryeministri ynë duhet ta shkarkojë kryetarin e Bashkisë së Lezhës në qoftë se nuk është vetë pas tij, shprehet më tej Mustafaj.
Dy ditë më parë, Presidenca akuzoi Protokollin e Shtetit se kishte ndryshuar në momentin e fundit axhendën e ceremonisë festive në Lezhë, duke i hequr kreut të shtetit fjalën dhe duke e zëvendësuar me fjalimin që do të mbante Kryeministri. Në prag të ceremonisë, më datë 2 mars 2012, kabineti i Presidentit të Republikës ka marrë një njoftim të dytë nga Protokolli i Shtetit, sipas të cilit, Presidentit i mohohet e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni. Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni, thuhej në sqarimin e Presidencës. Gjatë ceremonisë në Lezhë, në përfundim të fjalës së mbajtur nga kryetari i Bashkisë, Viktor Tusha, në podium është ngjitur Kryeministri Berisha.

Oketa
Ish-ministri dhe zv.kryeministri i PD-së, Gazmend Oketa, deklaroi pak ditë më parë largimin zyrtar nga Grupi demokrat. Ai u shpreh se kishte disa muaj që nuk shkonte në mbledhjet e Grupit, të cilat ishin kthyer si mbledhjet e Byrosë Politike përpara viteve 90. Oketa tha se do të jetë pjesë e partisë së re që do të krijohet gjatë këtij muaji, drejtimin e së cilës do ta marrë Presidenti Topi pasi të përfundojë mandatin.

Tusha: Topi do fliste nëse do vinte
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, u shpreh dy ditë më parë, në përfundim të aktiviteteve zyrtare, se kreu i shtetit do të fliste në ceremoninë e zhvilluar nëse do të ishte i pranishëm aty. Tusha e quajti të pakuptueshëm mungesën e kreut të shtetit në 568-vjetorin e bashkimit të shqiptarëve në Lezhë. Presidenti nuk e konfirmoi pjesëmarrjen në këtë ceremoni. Është e pakuptimtë mospjesëmarrja e Presidentit sepse në protokoll ishte shënuar se ai do të mbante fjalën. Sipas Tushës, 568 vjet më parë Skënderbeu bashkoi princat e mbarë vendit në një kuvend, kurse sot klasa politike nuk gjen kurajë të bashkohet për një ditë të vetme.

Incidenti në pavarësinë e Kosovës
Pavarësia e Kosovës më 17 shkurt nuk kaloi pa incidente në Tiranë. Fillimisht, kreu i shtetit, Bamir Topi, deklaroi se nuk kishte ftesë për aktivitetin te Ambasada e Kosovës, por vetëm te pritja në Hotel Sheraton. Ambasada e Kosovës në Tiranë tha se ftesa ka shkuar për të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit. Pas katër ditësh, kreu i shtetit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, theksoi se kishte marrë ftesë për ceremonitë e 17 shkurtit, por kishte munguar për shkak të gjendjes së tij virale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›