E Diel, 1 Nëntor 2026

Mënyra se si u përballua katastrofa dëshmoi forcën e madhe të njerëzve të një vendi të lirë

04-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha merr pjesë në aktivitetin e ambasadës japoneze “Fuqia e Solidaritetit”, në kujtim të viktimave të tsunamit dhe tërmetit të madh
 
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në aktivitetin përkujtimor “Fuqia e Solidaritetit”, organizuar nga Ambasada japoneze, në nderim të viktimave të dy katastrofave të mëdha, të një viti më parë, në këtë vend, tsunamit dhe tërmetit. Në përshëndetjen e tij me këtë rast, Kryeministri Berisha theksoi se mënyra se si autoritetet, qytetarët dhe gjithë kombi japonez përballuan këto katastrofa, i dëshmoi njerëzimit forcën e madhe të njerëzve të lirë, të një vendi të lirë. “Një vit më parë, kombi japonez u përball njëkohësisht me dy katastrofa të përmasave të  jashtëzakonshme natyrore, tsunamin dhe tërmetin e shkallëve më të larta. Kjo ishte një tronditje e madhe për Japoninë dhe miqtë e saj në mbarë botën. Por, në kulmin e këtyre katastrofave, kombi japonez, Japonia, i dëshmoi njerëzimit forcën e madhe të njerëzve të lirë, të një vendi të lirë. Ajo u përball me pasojat e rënda të këtyre dy katastrofave, në mënyrën më eficente. Katastrofat, si tsunami ashtu edhe tërmeti, ishin të përmasave biblike, pasi patën mbi 15 mijë viktima. Por për të gjithë ne që ndoqëm ato ditë dramatike për Japoninë, është e qartë se përmasat e këtyre katastrofave me humbje njerëzore, mund të ishin edhe së paku 10 herë më të mëdha, në rast se ato nuk do të ishin përballur me forcën, organizimin, solidaritetin e një kombi të lirë e të fuqishëm, siç ishte kombi japonez. Qytetarët e mbarë botës, krahas dhimbjes, solidaritetit të madh me kombin tuaj, u frymëzuan nga mënyra se si ju i përballuat këto dy tragjedi të mëdha, u frymëzuan nga solidariteti i madh i qytetarëve të vendit tuaj, nga gjakftohtësia me të cilën këta qytetarë u përballën dhe kapërcyen pasojat e këtyre katastrofave biblike”- u shpreh Kryeministri. Berisha nënvizoi se, edhe pse kontributi i Shqipërisë ishte shumë modest për Japoninë në ato momente, ndjenjat, dhembshuria, solidariteti ndaj këtij vendi, kanë qenë shumë e shumë herë më të mëdha. “Unë dua t’ju falënderoj, zoti Ambasador, për mënyrën që keni zgjedhur për të nderuar viktimat e tsunamit e tërmetit, duke sjellë këtu artistë japonezë, në një koncert kushtuar solidaritetit njerëzor, por mbi të gjitha, kushtuar ngadhënjimit të qytetarëve të vendit tuaj mbi këto katastrofa të mëdha. Kjo është mënyra më e mirë për të nderuar ata që humbën jetën në këto katastrofa, por edhe për të nderuar veprën e madhe të ndërtimit e rindërtimit të kombi tuaj, i cili, në një hark të shkurtër kohor, bëri të paqena, në rrafshin material, pasojat shkatërrimtare të tsunamit dhe tërmetit”. Ndërkaq, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë për kombin japonez, për mbështetjen e madhe dhe të gjithanshme që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përpjekjet e tyre për të ndërtuar shoqërinë e lirë, ekonominë e tregut, si dhe në proceset integruese. “Edhe njëherë, ju shpreh ju, kombit të vendit tuaj, mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e madhe dhe të gjithanshme që i keni dhënë dhe i jepni Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përpjekjet e tyre për të ndërtuar shoqërinë e lirë, ekonominë e tregut dhe integrimin në proceset evropiane dhe euroatlantike”. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›