E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet në ujësjellës, 18 milionë dollarë

04-03-2012 / Gazeta 55

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi inspekton depon e re të ujit të Dajtit me kapacitet 10 mijë m3

Ujësjellësit të Tiranës iu shtuan dje edhe 10 mijë m3 kapacitet depozitimi, pjesë e  investimeve që po bëhen për të rritur kapacitetet e ndërmarrjes për të magazinuar ujë dhe për të përmirësuar kështu furnizimin e kryeqytetit. Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, inspektoi përfundimin e punimeve në zonën e gurores, në malin e Dajtit, dhe u shpreh se depoja e re është pjesë e një pakte investimesh prej 18 milionë dollarësh, përmes secilës janë shtruar 82 kilometra rrjet transmetimi dhe rrjet shpërndarës ujësjellësi në Tiranë, janë shtuar 26 mijë m3 kapacitete mbajtëse dhe është përmirësuar furnizimi me ujë në zonën e qendrës së kryeqytetit, Tiranën e Re, Komunën e Parisit, Kodrën e Diellit, Sauk, Selitë, Misto Mame, Uzinën Traktori, Shkozë, Laknas, Bërxull, Yzberisht, Kombinat, Babrru dhe Paskuqan. Olldashi njoftoi se pritet të ndërtohen dy depo të reja, prej 8 mijë m3 në Kinostudio dhe 15 mijë m3 në zonën e qytetit Studenti, gjë që do të bëjë të mundur fillimin e heqjes së depozitave individuale të banorëve nga tarracat e pallateve të kryeqytetit. Ministri i Punëve Publike përgëzoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për marrjen në administrim të ujësjellësit dhe tha se “Transferimi i ujësjellësit duhet të ishte mbyllur që në fund vitin 2007, por z.Rama, me një qëndrim tërësisht politik, dhe logjikisht të paqëndrueshëm refuzoi të merrte administrimin, ndonëse kishte dy vjet që akuzonte qeverinë se nuk i jepte ujësjellësin”. “Tashmë Bashkia Basha ka qartësisht qëndrim tjetër dhe unë jam shumë i kënaqur që procesi i transferimit do të ndodhë edhe në Tiranë, gjë që do ta çojë ndërmarrjen më afër qytetarëve të Tiranës dhe të njësive të tjera vendore që shërbehen nga kjo ndërmarrje”- u shpreh ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›