E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti i Rames ne Vjene PD zyrtarizon kerkesen per komision hetimor

Është dëmtuar imazhi i Shqipërisë në incidentin ku u përfshinë një diplomat dhe një politikan i nvielit të lartë në një vend të huaj në një ambient të njohur publik diplomatik. Këtë motivacion japin demokratët në kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për zbardhjen e incidentit ku kryetari i PS Rama i cili pretendohet të ketë ushtruar dhunë ndaj diplomatit Egin Ceka.
Objekti i punës së komisionit do të përqëndrohet tek hetimi për zbardhjen e plotë të fakteve dhe rrethanave të incidentit të 24 prillit pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës dhe hetimi i plotë i veprimeve dhe përgjegjësive të individëve të përfshirë në këtë incident.
Ndonëse jemi pak javë para shpërndarjes së Kuvendit, demokratët janë në afate ligjore për ngritjen e komisionit hetimor, pasi ligji për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore nuk lejon ngritjen e tyre gjatë 4 muajve para përfundimit të mandatit të Kuvendit. Ky mandat përfundon javën e parë të shtatorit për rrjedhojë komisioni nuk do të mund të ngrihej në periudhën nga 7 maj -7 shtator.
Nismëtarët bazohen në nenin 77 të kushtetutës, sipas të cilit komisioni ngrihet për hetimin e një çështjeje të vecantë. Në relacionin shoqërues argumentohet se kjo është një çështje e veçantë me interes publik dhe shtetëror. Tejkalohen dimensionet e një grindjeje të rendomtë, pasi në një ambient publik shumë të njohur siç është Akademia Diplomatike e Vjenës në incident u përfshi një diplomat dhe kryetari i Partisë Socialiste dhe cilësia, veprimtaria emërtimi i çdo lloj konsiderate prej tij përthith interes publik
Në këto kushte –thuhet në kërkesë - interesi publik dhe ai shtëror që kërkohen si standard kushtetues për çështjen që duhet të kontrollohet janë mëse të pranishëm në këtë ngjarje, pasi vlerat shtetërore, politike, etike të imazhit, por dhe ato ligjore që janë dëmtuar me anët e saj janë të shumëfishta, ndaj është mëse e nevojshme zbardhja e plotë e ftohtë objektive dhe transparente e kësaj çështjeje si akisoni më i pakët që mund të ndërmarrin institucionet shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›