E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Kushtetueses, Beqja asnjë koment

TIRANË- Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shpalljen si të papajtueshëm të mandatit me Kushtetutën, për shkak se kompania ku ai është ortak, me 51% të aksioneve, kishte përfituar nga tenderat me fondet publike, nuk ka sjellë asnjë reagim zyrtar nga Ilir Beqja. Ai nuk e ka komentuar dje këtë vendim, ndërkohë që rreth një vit më parë, (kur është zhvilluar debati për këtë çështje) përmes një deklarate publike, ai argumentonte të gjitha procedurat që ishin ndjekur për rastin konkret. Në vitin 2008, Bashkia e Durrësit sipas tij kishte nisur një projekt të ndarë në tre faza, me qëllim informatizimin e këtij institucioni. “...Faza e dytë e këtij projekti, ku kompania në fjalë ka qenë e përfshirë, i përkon një periudhe gjatë të cilës unë nuk ushtroja funksionin e deputetit, madje nuk kisha asnjë të ardhur apo përfitim, që lidhet me mandatin e deputetit”, - është shprehur kohë më parë, Beqja. “Që nga momenti kur unë kam filluar të ushtroj mandatin e deputetit, ka sqaruar ai, kompania në fjalë nuk kishte përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike”. Beqja e konsideroi akuzë ndaj personit të tij iniciativën e demokratëve, ndërkohë që kundër argumenteve të tij, kësaj here është pozicionuar edhe Gjykata Kushtetuese, si pasojë e së cilës, Beqës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të pranojë ligjërisht këtë vendim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›