Incidenti, ndëshkohen 4 sherrxhinjtë e Gramozit
Disiplina pezullon 1 vit nga të gjitha aktivitetet administratorin e Partizanit.
Dënohen përjetë trajneri Visi Peçi dhe tre futbollistë.
Trajneri i Gramozit dhe tre lojtarë të kësaj skuadre janë dënuar përjetësisht nga Komisioni i Disiplinës, pasi ushtruan dhunë ndaj arbitrit të ndeshjes. Dënohet edhe administratori i Partizanit. Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, i mbledhur të martën, ka shqyrtuar problemet disiplinore të konstatuara në ndeshjet e kategorive të ndryshme të kampionatit. Pas relacionit mori vendime të ashpra ndaj shkelësve të rregullores, ndër të cilat spikat pezullimi për një vit i administratorit të Partizanit, Paro Laçi, nga aktivitetet kombëtare, pezullimi i përjetshëm i trajnerit të Gramozit, Evis Peçi dhe i tre lojtarëve të tjerë kolonjarë. Tejkalimi i caqeve të lejuara nga rregullorja e garës, dhuna verbale, por edhe ajo fizike që njohu kulmin në Ersekë ndaj gjyqtarit Nora, janë në bazë të këtyre dënimeve të radhës. Ja vendimet e plota të dhënë dje nga Komisioni i Disiplinës:
a) Lojtari i Teutës, Bledar Mancaku, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit dënohet me dy ndeshje pezullim nga aktiviteti.
b) Zyrtari i Partizanit, Paro Laçi, për nxitje të braktisjes së ndeshjes dënohet me pezullim nga aktivitetet për 12 muaj.
c) Lojtarët e Gramozit Evis Peçi (kryen edhe detyrën e trajnerit në këtë skuadër), Renato Saliko, Hyserion Shupe dhe Efiliano Lico për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes me pasoja të rënda për shëndetin, përjashtohen përjetësisht nga aktivitetet e futbollit.
ç) KF Gramozi për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive të organizimit të ndeshjes me Memaliajn dënohet me 50 mijë lekë (të rinj) gjobë.
d) Lojtari i Skënderbeut U-19, Mario Kame, për goditje me grusht të kundërshtarit dënohet me pesë ndeshje pezullim nga aktiviteti dhe 3 mijë lekë (të rinj) gjobë.
dh) Zevendëstrajneri i Butrintit, Ferdinand Merkuri, për protesta ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me dy ndeshje pezullim nga aktiviteti si dhe 50 mijë lekë (të rinj) gjobë.
e) Zyrtari i Përmetit, Ilir Hasimi, për protesta ndaj zyrtarëve të ndeshjes dënohet me dy ndeshje pezullim nga aktiviteti si dhe 20 mijë lekë (të rinj) gjobë.
f) Trajneri i Korabit, Sali Kallaverja, për fyerje ndaj zyrtarëve të ndeshjes dënohet me tetë ndeshje pezullim nga aktiviteti si dhe 100 mijë lekë (të rinj) gjobë.
g) KF Naftëtari për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës, por pa shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes, dënohet me zhvillimin e një ndeshjeje pa spektatorë në stadiumin përkatës.
h) KF Erzeni, për mosparaqitje ne ndeshjen me Domosdovën e humb atë në tavolinë me rezultatin 3-0.
Gramozi, tifozët mbështesin vendimin e FSHF-së
Shoqata e tifozëve “Gramozi”, pasi ka qëndruar në ankth për gjatë dy ditëve për arsye të asaj ngjarjeje të pahijshme që ndodhi në stadiumin e tyre, janë mbledhur dje në orën 15:00, në një takim për të diskutuar për të ardhmen e kësaj shoqate. Ata kanë përkrahur ekipin e tyre, por në të njëjtën kohë u kanë kërkuar atyre që veprime të tilla që nuk i kanë hije një qyteti si Erseka për vetë kulturën e lashtë që ka, të mos përsëriten më. Ata pasi kanë dënuar edhe një herë veprimet e futbollistëve janë shprehur se FSHF-ja ka marrë një vendim të drejtë, pasi tifozeria, siç u pa gjatë takimit, por dhe dy ditët e fundit, ka qenë kundër futbollistëve të tyre dhe në përkrahje të gjyqtarit nga Gjirokastra, Noraj. Të gjithë kanë premtuar se do të jenë një tifozeri korrekte në të ardhmen, duke filluar që nga dita e sotme, në takimin për kupë ndaj Teutës.
Korrigjon FSHF, dënohet edhe Arapi
Lojtari i Skënderbeut, Renato Arapi, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes (arbitrit) dënohet me katër ndeshje pezullim nga aktiviteti. Ky është vendimi i marrë dje nga komisioni, por duhet thënë se më së shumti erdhi si rezultat i presionit mediatik për rastin në fjalë. Kujtojmë se Arapi pështyu arbitrin e ndeshjes Bylis-Skënderbeu dhe u ndëshkua me karton të kuq nga ky i fundit. Vetë lojtari një ditë më vonë e pranoi që kishte bërë gabim, por çuditërisht në mbledhjen e radhës (të shkuarën) Disiplina nuk e dënoi. U desh që rasti në fjalë të denoncohej thuajse çdo ditë nga mediat si një skandal, që federata të korrigjonte vetveten.