Partizani-Tirana, kaos me biletat
Luhet derbi i kryeqytetit, por ka terr televiziv. Ndeshja nuk do transmetohet.
Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës është karakterizuar edhe nga një amulli në lidhje me organizimin. Drejtuesit e kuq kanë pasur të drejtën të organizojnë takimin, duke filluar nga shitja e biletave, të drejtat televizive, sigurimin e stadiumit dhe gjithçka tjetër, megjithatë, duket se në këtë pjesë nuk kanë vepruar me shpejtësinë e duhur. Kështu, biletat për një ndeshje të tillë duhet të ishin hedhur në treg të paktën një ditë përpara, për të mos thënë që në fillimjavë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, çka ka sjellë edhe një mosinformim të tifozëve në lidhje me orën dhe stadiumin ku do të luhet ndeshja. Biletat do të dalin sot në shitje në biletarinë e stadiumit “Qemal Stafa” dhe dyndja e tifozëve ka për të qenë e madhe, duke krijuar edhe kaos. Ndërkohë, edhe sistemimi i tifozëve në shkallët e stadiumit do të jetë një hall më vete. Duke qenë se impianti do të jetë nën drejtimin e këtyre të fundit, ultrasit e kuq kanë kërkuar tribunën D2 për t’u sistemuar. Por kjo tribunë zakonisht qëndron e boshatisur në të tilla ndeshje, në mënyrë që të mos ketë përplasje mes tifozerive. Për këtë arsye, tifozët e Partizanit kanë kërkuar që ultrasit e Tiranës të spostohen mbrapa portës, dhe ata të jenë në tribunën D2, duke shmangur kështu të gjitha përplasjet. Një kërkesë e tillë është marrë në konsideratë nga drejtuesit e Partizanit, megjithatë, mbetet për t’u parë nëse një gjë e tillë do të zbatohet. Ndërkohë mësohet se Partizani-Tirana nuk do të transmetohet në televizion. Sipas informacioneve, asnjë televizion kombëtar dhe as paketa me pagesë e Supersportit nuk do ta transmetojnë derbin, duke bërë që këtë përballje, e cila rikthehet pas tri vitesh, ta shijojnë vetëm ata që do kenë mundësinë dhe dëshirën për ta ndjekur nga shkallët e “Qemal Stafës”.
Partizani, 5 mln lekë për fitoren
Një tifoz i Partizanit, i cili është edhe biznesmen në kryeqytet, i ka takuar futbollistët e kuq përpara se ata të niseshin drejt Durrësit, ku janë grumbulluar. “Keni 5 milionë lekë të vjetër për fitoren e kësaj sfide dhe 10 milionë lekë për kualifikimin në turin tjetër”, ka premtuar ai. Kjo nuk është hera e parë që tifozët e kuq e mbështesin financiarisht ekipin përpara ndeshjeve të rëndësishme.
Tirana, konferencë para ndeshjes
Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, e pikërisht për këtë gjë duket sa e çuditshme, aq dhe e palogjikshme: drejtuesit e klubit të Tiranës kanë vendosur që të bëjnë një konferencë për shtyp lidhur me ndeshjen vetëm ditën e sotme në mesditë, pak orë para fillimit të saj. Zakonisht, konferenca për shtyp bëhet një ditë para takimit (çfarëdolloj takimi), me idenë e përthithjes sa më mirë nga ana e publikut e asaj që ka në kokë trajneri apo klubi.
Kupa/ Turi 1/16
Grupi A
Partizani-Tirana 19:00
Olimpiku-Skënderbeu 16:00
Himara-Kastrioti 16:00
Dinamo-Kamza 16:00 Iliria-Vllaznia 16:00
Butrinti-Shkumbini 16:00
Elbasani-Apolonia 16:00
Besëlidhja-Kukësi 16:00
Grupi B
Gramozi-Teuta 16:00
Naftëtari-Flamurtari 16:00
Tërbuni-Bylisi 16:00
Mamurrasi-Laçi 16:00
Ada-Tomori 16:00
Gramshi-Luftëtari 16:00
Lushnja-Pogradeci 16:00
Burreli-Besa 16:00