E Shtunë, 31 Tetor 2026

“FA”, në gadishmëri për shuarjen e zjarreve

295 efektivë të Forcave të Armatosura, janë vënë në gatishmëri të plotë për shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë territorin e vendit.
Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së bërë nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, për ndërhyrjen e Forcave të Armatosura, në shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë gjatë kësaj periudhe zona të ndryshme të territorit.
 

Gjatë një takimi që shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, zhvilloi me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Alfred Olli, shprehu gatishmërinë e plotë që kanë Forcat e Armatosura për t`u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve, pyjeve dhe kullotave të cilat janë të rrezikuara nga flakët e zjarreve.
 

“Ne jemi të gatshëm dhe ofrojmë të gjitha forcat dhe mjetet tona që kemi në dispozicion, për menaxhimin e situatave të Emergjencave Civile të krijuara nga zjarri, duke bërë ç`është e mundur që situata të normalizohet sa më shpejt. Deri tani, nga informacionet tona paraprake, rezulton që nuk kemi asnjë të lënduar dhe kjo është pozitive për situatën që po kalon vendi ynë. Ne ju ofrojmë të gjitha mjetet tona, me qëllim që kjo situatë të kapërcehet pa pasoja”, nënvizoi Gjunkshi, gjatë takimit.
 

Që nga momenti kur Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm morën sinjalin për ndërhyrje në zonat e prekura nga zjarret, FA vuri në dispozicion të Emergjencave Civile, 12 mjete transporti, 11 mjete zjarrfikëse si dhe 7 auto-ambulanca. Po kështu u angazhuan 295 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po ndihmojnë për shuarjen e zjarreve në zonat veriore dhe jugore të vendit, zona këto të cilat janë prekur më shumë nga zjarret.
 

Deri tani, mësohet se janë shkaktuar si pasojë e temperaturave të larta, apo nga pakujdesia e banorëve, rreth 14 vatra të mëdha zjarri.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›