E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti në Vjenë, MPJ: Rama dhunë verbale e fizike ndaj diplomatit

TIRANË- Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka konfirmuar incidentin mes kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka, në Vjenë.

Lajmi është publikuar nga disa agjenci lajmesh shqiptare. Ato thonë se Rama është konfliktuar me Eginin, djalin e ambasadorit tonë në Itali, Neritan Cekës, për komentet e zymta që ka bërë në lidhje me realitetin dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri. 

Në lidhje me incidentin, doli në një konferencë për shtyp në orën 14:30 zv.ministrja e Punëve të Jashtme, Edit Harxhi. 

Në prononcimin e saj Harxhi konfirmoi lajmin që kreu i PS-së ka ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj diplomatit Egin Ceka, kur ky i fundit i është afruar për të biseduar për votën e emigrantëve. Sipas saj, Rama ka cënuar me deklaratat e tij imazhin e Shqipërisë.

NJOFTIMI I PLOTE I EDIT HARXHI
"Jam këtu përpara jush nga Ministria e Punëve të Jashtme, duke iu përgjigjur interesimit të meidave shqiptare sot, për një incident të ndodhur në Vjenë, pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës. Ministria e Punëve të Jashtme, është njoftuar sot, nëpërmjet ambasadorit të Republikës së Shqipërisë pranë Misionin e OSBE-së z. Spriro Koci, mbi incidentin e ndodhur dje në Akademinë diplomatike të Vjenës gjatë një takimi të oraganizuar nga kjo Akademi. Zoti Edi Rama Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, ka qenë i ftuar në këtë takim në të cilin kanë marrë pjesë diplomatë shqiptarë, diplomatë të huaj dhe shqiptarë që jetonin në Austri.

Gjatë një bisede, është fyer imazhi i Shqipërisë disa here. Në të njëjtën kohë një nga diplomatët shqiptarë z, Egin Ceka, diplomat i ri energjik, prej disa vitesh diplomat në ambasadën tonë në Vjenë, aktualisht në Misionin tonë në OSBE, i shkolluar jashtë, në përfundim të takimit është afruar tek z. Rama për të biseduar rreth një pike që z. Edi Rama e ka ngritur disa here: pengimin nga ana e tij për votën e shqiptarëve kudo nëpër botë nëpërmjet ambasadave tona. Z. Rama ka potencuar gjatë bisedës së tij, që nuk është e mundur vota e shqiptarëve për arsye të tejpolitizimit të përfaqësive diplomatike shqiptare e pikërish z. Ceka duke u nisur nga dëshira e tij për të bashkëbiseduar dhe për ta depolitizuar bisedën është afruar tek z. Rama për të diskutuar rreth kësaj temë që shërbimi diplomatik shqiptar jo vetëm që nuk është politik, por në mënyrën më të mirë të mundshme, do të mund të kthente një shërbim të tillë ndaj shtetasve shqiptarë, pikërisht për të siguruar votën e tyre pranë ambasadave shqiptare. Në këtë moment zoti Rama ka reaguar në mënyrë mjaft agresive, ka përdorur dhunë fillimisht verbale, më pas në dhunë fizike, e cila ka rezultuar me një konflikt të hapur mes dy palëve Ramës dhe diplomatit Ceka. Ky konflikt është shpërndarë nga të pranishimit në sallë dhe diplomatët e huaj që ishin prezent. Dhuna verbale ka vazhduar edhe më tej duke i kërkuar z, Ceka që të dalë jashtë, madje duke përdorur edhe fjalë që nuk janë të denja për asnjë qytetar shqiptar, aq më tepër për një kryetar partie karshi diplomatëve shqiptarë.

Natyrisht Ministria ePunëve të Jashtme dënon shumë rëndë këtë akt, që është një akt i paprecedentë. Gjatë këtyre tetë viteve të fundit, nuk ka ndodhur asnjëherë një akt i tillë. Gjithësesi ky akt dënohet, sepse është një cënim jo vetëm i dinjitetit të diplomatëve shqiptarë, si shërbim i denjë i shtetit tonë, i cili mundohet të ngrejë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë, por dënon

dhe dekërcënimin e imazhit të Shqipërisë që i bëhet sot për sot në botë. Fatkeqësisht kjo vjen në një moment mjaft delikat për politikën në të njëjtën kohë edhe si cënim që në mënyrë të drejtpërdrejtë kërcënon ashpër momente të vecanta të jetës së shqiptarëve. Natyrisht ne vazhdojmë ta dënojmë këtë akt pa fund dhe jam e sigurt që shërbimi diplomatik shqiptar, si edhe diplomatët shqiptarë bashkohen me mua dhe shumë të tjerë. Sot jemi pranë zotit Ceka".

PS: MINISTRIA E JASHTME NIVEL BANAL
Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me akuzat e Ministrisë së Jashtme duke shprehur keqardhje për nivelin banal ku ka rënë institucioni. Partia Socialiste në një njoftim për shtyp sqaron ngjarjen duke theksuar se provokatori ka qenë diplomati Ceka dhe kryesocialisti Rama është përpjekur vetëm për ta qetësuar.

“Partia Socialiste shpreh keqardhje për nivelin banal ku ka rënë Ministria e Jashtme dhe trupi diplomatik shqiptar. Në Akademinë Politike të Vjenës ka pasur vetëm një ngjarje: Dialogu prej më shumë se dy orësh i një audience të nderuar me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Pas takimit djali i Neritan Cekës,që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës. Ndërsa kryesocialisti është përpjekur ta qetësojë, të pranishmit e kanë larguar djalin e Neritan Cekës nga mjedisi i Akademisë Politike. Ndërkohë sot, Ministria e Jashtme vazhdoi avazin e saj të propagandës antiopozitare duke i dalë në mbrojtje një "diplomati" që s'është asgjë tjetër veçse një prej shumë shëmbëlltyrave të degradimit të trupit tonë diplomatik në një lukuni kalamajsh, kunetërish, mbesash, kushërinjsh, dhëndurësh e krushqish të sojit e të sorollopit të oborrit të një pushteti të dalë duarsh, që po jeton ditët e veta të fundit”, thuhet në njoftimin e PS-së.

LAJMI NE MEDIA
Sipas, Civitas.al Rama ka qenë i ftuar për të mbajtur një fjalim në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ndërsa të pranishëm kanë qenë mbi 100 diplomatë.

Burimet bëjnë të ditur se në përfundim të takimit Egin Ceka, diplomat shqiptar në misionin tonë në OSBE, i ka kërkuar Ramës sqarime në lidhje me këto qëndrime fyese të tij. Më pas raportohet se mes të dyve ka patur ofendime publike, madje edhe konfrontime fizike.

“Rama nuk ka preferuar të japë përgjigje, por e ka kapur diplomatin prej veshi dhe si të mos mjaftonte kjo e ka goditur diplomatin në kokë”, shkruan Civitas.al. 

Dëshimitarë të këtij kanë qenë të gjithë të pranishmit e Akademisë Diplomatike të Vjenës, madje disa prej tyre kanë ndërhyrë për të ndarë këtë kacafytje të Ramës dhe diplomatit Ceka, thuhet më tej nga mediat.
(m.a/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›