Incidenti në Vjenë bëhet çështje zgjedhore në Shqipëri
Shkrimi i mëposhtëm është publikuar në të përditshmen austriake Der Standard.
Aktiviteti titullohej Shqipëria- formësimi i të ardhmes dhe u zhvillua të mërkurën e kaluar në Akademinë Diplomatike të Vjenës. I ftuar ishte shefi i Partisë Socialiste në Shqipëri, Edi Rama. Në Shqipëri mbahen më 23 qershor zgjedhjet parlamentare. Rama dëshiron të bëhet kryeministër. Aktualisht këtë post e mban kundërshti i tij më i madh, Sali Berisha i Partisë Demokratike.
Në aktivitetin e organizuar në Vjenë mori pjesë edhe Egin Ceka, sekretar i parë i një ambasade shqiptare në një nga organizatat ndërkombëtare. Pas aktivitetit, ai shkoi te Rama, për të kritikuar deklaratat e tij se diplomacia shqiptare është e politizuar, prandaj emigrantët jashtë vendit nuk mund të votojnë.
Unë i thashë Ramës se nga përvoja që kam, e di që kolegët kanë aftësinë e duhur administrative për organizimin e zgjedhjeve korrekte. I thashë se po i bën një padrejtësi të madhe diplomacisë, thotë Ceka për Standard. Pastaj Rama më tha se duhet të largohesha nga aktiviteti. I thashë se nuk kam asnjë arsye për këtë. Ai më pas zgjati dorën e djathtë mbi anën e majtë të kokës time, shtrëngoi grushtin dhe më kapi një pjesë të flokëve dhe veshin. Nuk është se më dhembi, por ishte një kalim kufijsh.
Atëherë Ceka e quajti Ramën plehrë dhe i tha se nuk e meriton që të qeverisë shqiptarët. Rama vetë nuk ka dhënë ndonjë opinion për këtë incident. Partia e tij, PS, e mohon që të ketë pasur kontakt fizik. Sipas PS, Ceka e ka sulmuar Ramën verbalisht.
PD e ka kthyer incidentin e Vjenës në një temë të fushatës elektorale dhe ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për Ramën. Beteja elektorale ka nisur tashmë me konflikte: pasi LSI la qeverinë, parlamenti miratoi ndryshimin e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Jo vetëm opozita, por edhe BE e ka kritikuar diçka të tillë. Në Shqipëri polarizimi mes dy kampeve është shumë i fortë. Deri më tani zgjedhjet nuk kanë përmbushur standardet e Bashkimit Europian./ep