Incidenti në protestë, PS: Policia keqpërdoret nga pushteti
TIRANË- Partia Socialiste ka reaguar sot pas incidentit që ndodhi gjatë protestës së të zgjedhurve vendore dhe policisë. Gjatë një komunikimi me mediat, zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj ka theksuar se policia është keqpërdorur. "Në emër të PS shpreh indinjatën e njëkohësisht keqardhjen për keqpërdorimin e Policisë së Shtetit në tubimin e bashkive dhe komunave ku qeverisin socialistët"- tha ajo.
Sipas Imerajt vendosja e tre rreshtave me policisë në shkallët e kryeministrisë dhe këmbëngulja e drejtuesve të policisë për qëndrimin e uniformave në kurriz të kryebashkiakëve ishin shprehje të padenja për policinë e Shtetit . "Sjellja e Policisë së Shtetit u frymëzua nga pushteti i Sali Berishës, që po humbet përditë fillin e arsyes".
Incidenti ndodhi gjatë nisjes së protestës, kur kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama kërkoi largimin e policëve nga shkallët e kryeministrisë dhe vendosjen atje të foltores për tubimin. Gjë që u kundërshtua nga policia.