OBSH: Mbi 6200 viktima si pasojë e gripit
Numri i viktimave si pasojë e gripit A H1N1 ka kaluar shifrën e 6250 personave. Të dhënat u bënë publike në raportin javor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sipas saj, vetëm në një javë shënuar 189 viktima, çka tregon se virusi po përhapet me shpejtësi. Të dhëna të tjera nga Kombet e Bashkuara tregojnë se gripi ka shënuar pikun e tij në Amerikën Veriore, në një kohë që po përhapet me shpejtësi në Europë dhe Azinë qëndrore e Lindore. Në raportin e organizatës më të lartë të shëndetësisë vihet re se numri më i lartë i viktimave është regjistruar në kontinentin Amerikan, rreth 4000. Sa i takon Europës, numri i viktimave ka arritur në 300. Më alarmante gjendja paraqitet në Ukrainë ku sipas të dhënave nga autoritetet më shumë se 1.3 milionë ukrainas janë infektuar me virusin H1N1 dhe 265 kanë gjetur vdekjen.