Incidenti për "Kongresin e Lushnjës", shkarkohen tre drejtorë kulture
Incidenti gjatë konferencës për përvjetorin e 89-të të "Kongresit të Lushnjës" u ka kushtuar vendin e punës tre drejtorëve. Ngatërrimi i materialit filmik që do të hapte aktivitetin me një kasetë dasme, ka çuar në shkarkimin e drejtorit të kulturës në bashki, drejtorit të muzeut, si dhe drejtorit të teatrit "Vaçe Zela". Ka qenë kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku, ai që ka firmosur përfundimisht vendimin e shkarkimit të tre vartësve të tij. Paralajmërimi ishte dhënë që në ditën e ndodhjes së incidentit. Në një konferencë për shtyp të ditës së djeshme, kryetari i Bashkisë, Sanxhaku, ka deklaruar se tre drejtorë të institucioneve kulturore që kanë varësi direkte nga bashkia janë pushuar nga detyra. Alfred Dhamo, drejtor i Kulturës në bashki, Shaqir Greca, drejtor i muzeut dhe Arjan Asalla drejtor i teatrit "Vaçe Zela" janë shkarkuar me motivin e mosorganizimit të festimeve për datën 21 janar, 89-vjetorit të "Kongresit të Lushnjës". Në këtë ditë, sipas programit të shpërndarë në fletë- palosje nga ana e bashkisë ishte vendosur që të shfaqej edhe filmi "Koncert i vitit ‘36", që do të çelte konferencën me temë "Kongresi i Lushnjës". Ndërsa pjesëmarrësit kishin zënë vendet e tyre në sallën e teatrit "Vaçe Zela", në videoprojektorin e ngritur për këtë rast nuk ka nisur filmi, por momentet e një ceremonie dasme, që dallonte se ishte e një dasme fshati.
Një incident i tillë shkaktoi reagimin e qytetarëve dhe të pjesëtarëve të familjeve patriotike. Gjatë konferencës u deklarua se shkarkime të tjera priten të ndodhin gjatë ditëve në vijim.
Një incident i tillë shkaktoi reagimin e qytetarëve dhe të pjesëtarëve të familjeve patriotike. Gjatë konferencës u deklarua se shkarkime të tjera priten të ndodhin gjatë ditëve në vijim.