Aksidentohet rëndë 6-vjeçarja
Etleva Delia
Një vajzë 6-vjeçare po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak, pas përplasjes nga një makinë, në rrugën "Muhamet Gjollesha" në Tiranë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në kryeqytet, kur vajza e mitur me iniciale J.S., po tentonte të kalonte nga njëra anë në anën tjetër të rrugës, por u godit nga një makinë. Vajza ka qenë me gjyshen e saj, por i është larguar, duke u shkëputur nga ajo për të kaluar rrugën, çka për pak sa nuk i ka kushtuar jetën. Ajo është përplasur nga një makinë tip "Benz", drejtuesi i së cilës ka ndaluar për ta transportuar vetë në spital, për ndihmën e shpejtë mjekësore. Burime nga Policia Rrugore thanë se drejtuesi i mjetit, edhe pse është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime për ngjarjen, mund të lirohet shumë shpejt, pasi është gjendur në befasi dhe i papërgatitur. Gjithashtu edhe shpejtësia, me të cilën ai po lëvizte me makinë nuk i kalonte normat e lejuara. Me t'u njoftuar nga dëshmitarët që panë ngjarjen, në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë hetuesit e aksidenteve për të zbardhur rrethanat, ndërsa vajza u transportua në Spitalin Ushtarak nga vetë drejtuesi i mjetit që e kishte përplasur. Mjekët treguan se gjendja e saj është mjaft e rëndë dhe kritike për jetën. Burime nga policia thanë se është shoqëruar Dorian Nezifi, drejtuesi i mjetit tip "Benz" me targa "TR 0155 J", që goditi 6-vjeçaren, J.S. Ai u dërgua në qeli deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti. Paraprakisht ekspertët e hetimit të aksidenteve rrugore, kanë zhveshur deri diku nga përgjegjësitë drejtuesin e automjetit, pasi nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes, janë fiksuar shenjat e frenimit nga ku është dalluar që shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë normale. Sipas oficerëve që kanë marrë në pyetje Nezifin, ai ka deklaruar se është gjendur në befasi dhe duke qenë se nuk e ka vënë re vajzën që i ka prerë rrugën, duke frenuar në momentin e fundit.