E Shtunë, 31 Tetor 2026

KOSOVA DHE SFIDAT E INTEGRIMIT EUROPIAN

Synimet tona për integrimin sa më të shpejtë të Kosovës në familjen europiane janë jo vetëm synime strategjike, por edhe një prirje e natyrshme. Jemi një popull që përherë i kemi takuar botës perëndimore në mendje dhe shpirt. Por çështja është se ku qëndrojmë sot në raport me këto synime.

Pavarësia e Kosovës dhe njohjet nga pjesa më e fuqishme e botës, hapën mundësi reale për ta qeverisur mirë vendin tonë, si dhe për ta bërë Europën e botën të na pranojnë krahëhapur në familjet e tyre.

Mirëpo rezultatet që kemi nuk janë ato të pritshmet. Sa janë inkurajuese disa rezultate si njohjet e reja, anëtarësimi në Bankën Botërore e Fondin Monetar Ndërkombëtar, rritja e buxhetit shtetëror, vendime e përparime të rëndësishme në planin strategjik, të infrastrukturës, arsimit, të legjislacionit e fusha të tjera, aq janë dekurajuese ngecjet si në ekonomi, në punësim, në zgjidhjen e çështjeve sociale, në planin e politikës së jashtme etj.

Qeveria e Kosovës nuk ia doli ta shpejtojë hapin. U vonua, neglizhoi apo u hutua pas interesave dytësore dhe si pasojë Kosova mbeti jashtë regjimit të liberalizimit të vizave. Kriteret teknike për këtë çështje, si pasaportat biometrike apo menaxhimi i integruar i kufijve, nuk arritën të plotësohen me kohë. Derisa pati përparime në kriterin e dytë, është dashur një qasje racionale rreth pasaportave biometrike dhe jo të bëhet një punë e dyfishtë.

Nga ana tjetër, po ashtu mendoj se edhe BE-ja nuk mbajti një qëndrim koherent ndaj Ballkanit Perëndimor përkundër zotimeve të axhendës së Selanikut për një integrim global të kësaj pjese të rajonit. Ishte gabim politik i BE-së që favorizoi Serbinë, si agresore dhe autore e gjenocidit në këto hapësira dhe e cila më tej vazhdon të mos i përmbushë obligimet ndaj Gjykatës së Hagës, ndërsa të izolojë Kosovën, e cila si viktimë u dëmtua në masa marramendëse. Kosova u desh të ketë trajtim specifik dhe të ndihmohet nga BE-ja, në mënyrë që të evitonte më shpejt pasojat e krizës shumëvjeçare.

Megjithatë, përgjegjësia më e madhe bie te ne. Qeveria e Kosovës duhet të zotërojë shumë më mirë qeverisjen e vendit dhe të jetë në shërbim të plotë të interesave të qytetarëve e të interesave nacionale. Si anëtare e Komisionit për Integrime Europiane mund të them se me shumë kujdes trajtuam arritjet dhe ngecjet e institucioneve të Kosovës në përmbushjen e sfidave të dala nga Raporti i Progresit të Komisionit Europian të vitit 2008. Bëmë një punë të madhe për të vlerësuar me saktësi rezultatet. Ishim shumë të lumtur për arritjet, por mbetëm të dëshpëruar nga ngecjet dhe veçmas të pakënaqur me raportimet e zbehta e improvizuese të disa ministrive e komisioneve të Kuvendit që pamundësuan ta vlerësojmë plotësisht pasqyrën e arritjeve.

Nga ky vlerësim me lejoni të veçoj disa nga standardet ku kërkohet vërtet një angazhim serioz. Një standard parësor është forcimi i sundimit të ligjit në kuptimin cilësor e gjeografik. Ligji duhet të vlejë dhe të zbatohet për të gjithë pa përjashtim. Shtrirja e pushtetit në veri është imanente.

Kërkohet thellimi i reformave në gjyqësi, një luftë e pakompromis kundër krimit e korrupsionit e dukurive të tjera.

Kemi nevojë për një qeverisje më efektive dhe shumë më transparente, që i bën ballë zgjidhjes së problemeve të qytetarëve dhe sidomos shtresave më të goditura të shoqërisë. Një qeverisje që menaxhon mirë dhe krijon imazhin e Kosovës si një shtet funksional. Mjafton të rikujtojmë skandalin në Policinë e Kosovës, ku në çast u zhdukën mbi 40 kg narkotikë, apo manifestimin e dhunshëm të pakënaqësive të një grupi të qytetarëve (ish-veteranëve të luftës) që ndodhi dje, për të konstatuar se duhet një reflektim i thellë i institucioneve për të qenë proaktive ndaj shqetësimeve dhe kërkesave të qytetarëve.

Jemi zotuar për krijimin e një shteti demokratik dhe jo të një demokracie të kontrolluar. Për një administratë publike Vilsoniane të liruar nga ndërhyrjet politike. Por Raporti i Progresit të KE-së, Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë kanë adresuar vërejtje serioze për kompromiset që po i bëjmë në këtë relacion. Ndërhyrja e politikës në gjyqësi, media, e organizata publike janë të patolerueshme dhe dobëson demokracinë e re të Kosovës. Pastaj, mungesa e debatit për çështje relevante në Kuvendin e Kosovës është një standard në ngecje.

Ne po synojmë integrime të shpejta europiane, por ky proces ka pengesa serioze, me faktin se pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Spanja, Greqia, Rumunia, Sllovakia e Qipro do të duhej të ishin në shënjestër të lobingut, por me gjasa busulla e diplomacisë së Kosovës është ngatërruar. E kam thënë edhe herë të tjera se me një diplomaci don kishoteske Kosova nuk mund t‘i arrijë caqet e politikës së jashtme. Padyshim që rrethanat janë specifike dhe vështirësitë janë të mëdha për veprimtarinë diplomatike, por ka mundur të shfrytëzohet më mirë mekanizmi i diplomacisë parlamentare dhe jo të pengohen aktivitetet, siç ishte rasti me refuzimin e kërkesës së Komisionit për Integrime Europiane për të vizituar Spanjën.

Kjo qasje në diplomaci nuk e di se në interesin e kujt është. Të mos flasim se mungojnë trajtime strategjike në pozicionimet gjeopolitike të Kosovës. Siç dihet, rivalitetet gjeopolitike të vendeve të Ballkanit janë me zhvillime të hovshme, por mbahen tejet sekrete. Ku është Kosova në këto zhvillime. A jemi duke e humbur hapin dhe a po ia ngushtojmë vetes perspektivën. A jemi duke menduar për gjeopolitikën në sektorin e gazsjellësve apo të transporteve të tjera. Këto ditë u nënshkrua marrëveshja për gazsjellësin NABUKO, por që nuk kalon as nëpër Kosovë dhe as në Shqipëri. Sa po lobizojmë për implementimin më të shpejtë të gazsjellësit AMBO që kalon nëpër Shqipëri dhe nga e cila doemos përfiton Kosova.

Pyetja fondamentale e imja është: A mos vallë e kemi reduktuar debatin për politikën e jashtme në garën e aktorëve zyrtarë e jo zyrtarë për atë se kush po grumbullon më shumë merita, derisa vendet rreth nesh po krijojnë avantazhe gjeopolitike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›