Indi:Gjendja në Mumbai, nën kontroll

Forcat e sigurisë në Indi po përpiqen të vendosin kontroll të plotë mbi dy hotelet dhe qendrën hebraike në Mumbai. Të paktën 125 vetë kanë humbur jetën gjatë këtyre sulmeve dhe mbi 300 të tjerë janë plagosur. Në qendër të sulmeve me granata dhe armë automatike, ishin dy hotele, stacioni hekurudhor dhe spitali. Personat e armatosur po ashtu kanë mbajtur pengje në një bllok zyrash. Autoritetet indiane njoftojnë se katër nga sulmuesit janë vrarë dhe nëntë janë arrestuar. Gjendja është ende e nderë në dy qendrat e sulmeve të së merkures; hoteli Taj Mahal dhe hoteli Oberoi Trident. Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, ka bërë thirrje për unitet. Ai premtoi se do të merren të gjitha masat për të zbuluar personat përgjegjës. Në një fjalim televiziv para kombit kryeministri i Indisë tha se sulmet ishin kryer nga shtetas të huaj që e kishin bazën jashtë Indisë. "Është e dukshme që grupi që kreu këto sulme, i cili e kishte bazën jashtë vendit tonë, kishte ardhur këtu me qëllimin e vetëm që të shkaktonte kaos në kryeqendrën tonë të biznesit. Ne do të marrim masat më të forta për të garantuar që këto akte terroriste të mos përsëriten. Ne jemi të vendosur që të marrim masat e nevojshme, cilatdo qofshin ato, për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë", u shpreh kryeministri Sing. Ai tha se India do t'u tregonte fqinjëve të saj me terma të ashpra se ajo nuk do të lejonte që territori i të tyre të përdorej për të ndërmarrë sulme kundër Indisë. Sipas BBC-së, megjithëse kryeministri i Indisë nuk përmendi ndonjë emër, shumë vetë e lexuan këtë si referencë ndaj Pakistanit. Ndërkohë që ministri i Jashtëm pakistanez i hodhi poshtë zërat se Pakistani ishte i përfshirë në këto sulme. "Pakistani dëshiron të bashkëpunojë. Pakistani është për marrdhënie miqësore me Indinë. Ne sot kemi një armik të përbashkët. Ekstremizmi dhe terrorizmi është armiku ynë i përbashkët. Ai nuk është një dukuri rajonale apo lokale, por një sfidë globale. Prandaj, ne duhet t'i vëmë të gjitha resurset për ta luftuar bashkarisht ekstremizmin dhe terrorizmin", tha ministri i jashtëm pakistanez, Shah Mahmud Kureshi. Grupi i vetëquajtur Deccan Muxhahedin, i cili nuk njihej më parë, mori përsipër përgjegjësinë për sulmet. Këto sulme vijnë në një moment shumë të vështirë, duke zgjedhur zonën më të pasur financiare të Indisë. Sulmet e të mërkurës përbëjnë goditjen më të rëndë që kanë marrë autoritetet indiane. Ato ndodhën në një kohë kur në disa shtete indiane mbahen zgjedhjet dhe e përball koalicionin qeveritar me akuzën se nuk ka mundur të luftojë terrorizmin.