India:Jo shkurtimit të importit të naftës nga Irani

India ka bërë të ditur se nuk do të shkurtojë importet e saj nga Irani. Duke folur në Çikago, ministri indian i Financave, Pranab Mukherje, tha se vendi i tij nuk mund të bëjë pa naftën iraniane.
“Ju e dini se Irani është një furnizues i rëndësishëm i naftës së papërpunuar. Ne importojmë rreth 150 milionë tonë të kësaj nafte për çdo vit. Ajo është në rritje. Irani kontribuon ndjeshëm, ashtu si edhe disa vende të tjera: Arabia Saudite, Nigeria dhe shtetet e Gjirit. Por, Irani kontribuon ndjeshëm dhe nuk është e mundur për Indinë që të reduktojë në mënyrë drastike importin nga ai”, tha Mukherje.
India është konsumatori i katërt më i madh në botë i naftës. Ky shtet merr 12 për qind të naftës së saj nga Republika Islamike.
Megjithatë, Uashingtoni do që Azia, tregu më i madh i naftës iraniane të shkëpusë importet me Iranin. Kjo, sipas SHBA-së, do të bënte që Irani të frenohej nga aktiviteti i tij bërthamor.