E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indonezi, mbahen zgjedhjet presidenciale

Ka nisur mëngjesin e së martës në Indonezi, votimi në zgjedhjet presidenciale. Tre janë kandidatët në listë, ndër të cilët edhe presidenti në largim Susilo Bambang Yudhoyono, por që mbetet një kandidat i fortë për të siguruar një mandat të dytë. Rreth 176 milionë zgjedhës janë thirrur për të votuar në këto zgjedhje presidenciale, në atë që rezulton të jetë demokracia e tretë më e madhe në botë. Në Indonezi janë vendosur masa të larta sigurie për këtë ditë zgjedhjesh. Edhe sondazhet tregojnë se presidenti aktual, Yudhoyono, është favoriti kryesor në këtë garë. Ai thotë se ka sjellë stabilitet dhe zhvillim në Indonezi pas problemeve ekonomike dhe politike në fund të vitit 99 kur presidenti Suharto u largua me forcë nga pushteti. Dy kandidatët e tjerë në këtë garë presidenciale janë ish presidentja, Megawati Sukarnoputri, dhe zv/presidenti, Jusuf Kalla. Siguria është mjaft e lartë në qendrat e votimit në arkipelagun e madh prej 17 mijë ishujsh. Sipas burimeve mediatike vlerësohet se një çerek milionë policë janë mobilizuar për të parandaluar çdo problem dhe rreth 20 mijë të tjerë janë në gatishmëri. Banorët janë optimistë për mbarëvajtjen e këtij procesi, ndërsa ekziston shqetësimi i autoriteteve rreth mundësisë së dhunës në provinca të largëta si Papua Perëndimore ku një grup separatistësh po luftojnë për pavarësi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›