Indonezi, policia: Nuk është vrarë udhëheqësi militant
Policia indoneziane ka njoftuar se provat e ADN-së të kryera në trupin e njeriut që ata vranë gjatë një beteje me armë javën e kaluar nuk janë ato të udhëheqësit militant, Nordin Mohamed Top. Mohamed Top mendohej se u vra pas një rrethimi prej 17 orësh nga policia tek një shtëpi në një fermë në qëndër të ishullit Xhava. Lajmi mbi provat e AND-së përbën një zhgënjim të madh për forcat e sigurisë të cilat besonin se kishin vrarë Mohamed Top, një nga të dyshuarit si terroristi më i kërkuar në Azi. Ai është fajësuar për sulmet kamikaze në hotele në Xhakarta muajin e kaluar, ku u vranë nëntë vetë. Nordin Mohamed Top besohet se është një figurë kryesore pas sulmeve ndaj klubeve të natës në Bali në vitin 2002. "Trupi i vdekur është ai i Ibrohim. Ne u përpoqëm të krahasonim ADN-në e tij me atë të të birit Xhohor, por ajo nuk përputhej", deklaroi zëdhënësi i popicisë Nanan Soekarna në një konferencë për shtyp. Ai tha se Ibrohim është një shitës lulesh që punonte në hotelet Marriot dhe Ritz-Çarlton, në kryeqytetin indonezian. Ai dyshohet se ka ndihmuar në përgatitjen e dy sulmeve të muajit të kaluar, ku u vranë nëntë persona, përfshirë këtu gjashtë të huaj. Policia tregoi pamjet që vinin nga një kamera sigurie ku dukej një burrë i identifikuar si Ibrohim dhe që shoqëronte mbajtësit e bombave në hotele. "Ibrohim ishte një planifikues i sulmeve që ishte gjithnjë i pranishëm në takimet me Nordin Mohamed Top", shtoi zëdhënësi i policisë.