E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infeksionet respiratore, për 7 muaj regjistrohen 7.000 raste

 

zirina llambro

Rreth 7,000 raste për 7 muaj. Shifrat flasin për një rritje të personave me infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Pjesa më e madhe janë fëmijë. Më shumë se gjysma e tyre  më pak se 5 vjeç. Të dhënat vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili këto sëmundje i ka vendosur në sistemin "Alert" të survejancës dhe i monitoron në vazhdimësi. Specialistët i kategorizojnë në dy grupe. Tek grupi i parë bëjnë pjesë raste me infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes me plot 4,644 persona. Ndërsa më të pakta në numër janë infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes me 2,499 raste në të gjithë vendin. Për fat të mirë nga sa saktësohet në raport nuk ka pasur asnjë rast vdekjeje. Sipas mjekëve infeksionet respiratore mund të shkaktojnë pasoja të rënda sidomos tek fëmijët dhe të sëmurët kronikë. Viruse të caktuar që qarkullojnë mund të çojnë deri në pneumoni virale me komplikacione. "Shkaku kryesor i pneumonisë virale tek të rriturit janë viruset e gripit A dhe B, adenoviruset dhe virusi respirator sincytial. Këto viruse shkaktojnë 8% të pneumonive të fituara që kërkojnë shtrim në spital. Virusi i influencës shkakton më tepër se 50% të pneumonive virale", sqarojnë mjekët. Ndonëse numri i rasteve të regjistruara deri tani është i lartë, "piku" i infeksioneve të këtij lloji mbetet vjeshta dhe dimri. "Presim një rritje të personave që do të vuajnë nga këto probleme", nënvizojnë mjekët. Çdo vit regjistrohen mesatarisht 12 mijë persona, të cilët kalojnë një infeksion respirator. Simptomat e para të sëmundjes janë rrufë, kollë gërvishtje fyti shenja të njëjta me ato të gripit. Por bluzat e bardha bëjnë apel për të pasur kujdes. "Ajo që duhet të kihet parasysh është se, nëse një person gjatë tri ditëve të para nuk ka një përmirësim dhe kur fillon një temperaturë mbi 38 gradë dhe nuk mund të ulet apo dhimbje të gjoksit e gëlbazë është e domosdoshme një vizitë te mjeku, pasi mund të kemi një kapërcim nga një gjendje e lehtë e infeksionit deri në një pneumoni apo bronkit viral akut", nënvizojnë mjekët specialistë. Komplikacionet janë të ndryshme, që nga bronkopneumonia e deri tek infeksionet në rrugët urinare, por dhe të veshit. Infeksionet respiratore  sipas mjekëve janë mjaft ngjitëse. Transmetimi i tyre bëhet nga personi i sëmurë tek një tjetër i shëndoshë, nëpërmjet spërklave të ajrit të kontaminuar me virus dhe periudha e shfaqjes është 1-5 ditë pas ekspozimit. Infeksionet variojnë nga të lehta deri në të rrezikshme për jetën, siç janë laringotrakeobronkiti (croupi) ose bronkioliti, ndërsa në pacientët me imunosupresion jep pneumoni me rrezik për jetën dhe insuficiencë respiratore. Viruse të tjerë janë virusi i influencës dhe ai respirator syncytial, të cilët shkaktojnë pneumoni.

si te mbrohemi

Simptomat
• Marrja e frymës rendohet
• Frymëmarrja bëhet e sipërfaqshme dhe shpeshtohet
• Dhimbje të muskujve të kraharorit
• Pacientët ankohen edhe për dhimbje gjoksi e shpatullash
• Të sëmurët janë në ankth, kanë ndienjën sikur po mbyten

Këshillat
• Vizitë te mjeku pas shfaqjes së simptomave
• Trajtim me antibiotikë kur vendos mjeku
• Mospërdorim të medikamenteve pa recetë mjeku
• Pirje të lëngjeve në sasi të mëdha
• Konsum të ushqimeve me proteina
• Përdorimi i supave të ndryshme
• Vaktet të përmbajnë mish edhe vezë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›