E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet polici bashkiak në Fier, mashtroi për vizë italiane

 

FIER - Mashtroi për vizë, përfundon në qeli, polici bashkiak në Fier. Lajmin e bëjnë të ditura burime zyrtare të bluve të këtij qyteti, sipas të cilëve Zyra e Luftës Kundër Krimit Ekonomiko - Financiar pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier ka vënë në pranga mbrëmjen vonë të së premtes 40-vjeçarin Flamur Haxhiu, me detyrë polic në Bashkinë e Fierit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së qytetit myzeqar, prangosja e Haxhiut ka ardhur si pasojë e një denoncimi të bërë në ngarkim të tij, në Drejtorinë e Policisë nga shtetasi Arben Çullhai, banor i fshatit Shënpjetër të komunës Topojë. Burimet policore sqarojnë se disa javë më parë Çullhai kërkonte të nxirrte një vizë në konsullatën italiane në Vlorë, për të emigruar në shtetin përtej Adriatikut. Pasi e kishte biseduar këtë me disa të njohur të tij, ata i kishin rekomanduar Flamur Haxhinë si njeriun e përshtatshëm që mund ta ndihmonte. Pasi janë takuar, Çullhai dhe Haxhiu, ky i fundit i kishte kërkuar shumën prej 3100 euro kundrejt vizës tre mujore që do t'i nxirrte në konsullatën italiane në Vlorë. Në denoncimin e bërë në polici, Çullhai ka pohuar se Haxhiu i kishte thënë atij se kishte një të njohur që punon në Konsullatën Italiane në Vlorë dhe se shumën e valutës që po i merrte do t'ia jepte atij, ndërkohë që për vete do të mbante vetëm 100 euro. Duke i shpjeguar, Haxhiu i kishte thënë Çullhait se 3000 eurot e tjera do t'i ndante punonjësi i konsullatës me kolegët e vet të punës, të cilët do ta ndihmonin për të nxjerrë vizën që do vendosej në pasaportë. Të paktën, kjo është ngjarja e treguar nga i dëmtuari Çullhai, i cili e ka deklaruar gjatë denoncimit që ka marrë në dorë grupi paraprak hetimor për këtë çështje. Ndërkohë, Çullhai pasi ka pritur disa javë dhe nuk kishte marrë përgjigje për nxjerrjen e vizës, ka kryer denoncimin në polici. Gjatë denoncimit mësohet se ai ka treguar me detaje të gjithë ngjarjen. Oficerët e policisë gjyqësore pasi kanë dëgjuar të dëmtuarin kanë vënë në pranga policin bashkiak të Fierit, Flamur Haxhiu. Ndërkohë policia pohon se tashmë gjithçka do të hetohet, ndërsa do të pritet edhe fjala e të akuzuarit, ndërsa të gjitha materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së këtij qyteti.                          m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›