Mat, policët 1 vit pa paga shtesë
BURREL/ HASAN PASHA
Ka kaluar një vit dhe efektivat e policisë së Burrelit nuk kanë arritur të përfitojnë orët shtesë të shërbimit, orët e natës si dhe sigurimin e rendit e qetësisë në zgjedhjet e fundit politike apo në ndeshjet e futbollit. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se që në muajin shtator të vitit të kaluar punonjësit e Komisariatit të Matit nuk përfitojnë atë që u jep ligji. Ata kanë konstatuar se efektivët e komisariateve të tjera i përfitojnë të gjitha shërbimet shtesë që kryejnë, ndërkohë më shumë se 50 efektivë të policisë së Burrelit nuk shpërblehen për punën e bërë. Mësohet se gati të gjithë punonjësit nuk kanë ditë pushimi, pasi një pjesë e kolegëve të tyre vazhdojnë të ndjekin trajnimet me të huaj në Tiranë, ndërkohë që punën e tyre e mbulojnë efektivat e këtij komisariati. Në dimër e behar, natën dhe ditën, efektivat e policisë së këtij rrethi janë në detyrë, por në fund të muajit përfitojnë vetëm pagën, duke u harruar kështu orët shtesë, orët e natës, shërbimin për disa orë në stadiumin "Liri Ballabani" etj. Muaj më parë disa nga efektivët e grupit të gatshëm tentuan të ankohen në Komisariatin e Policisë Mat dhe Drejtorinë e Policisë të Qarkut Dibër, por janë detyruar të tërhiqen, sepse kanë frikë se pas ankesës së tyre mund të ndodhë që të largohen nga radhët e Policisë së Shtetit. Punonjës policie që nuk duan të identifikohen sqarojnë se çdonjëri prej tyre duhet të marrë për punën e bërë jashtë orarit të punës të paktën mbi 50 mijë lekë të rinj. Po nga efektivët e policisë së Matit vjen lajmi se janë ndoshta ndër efektivët e vetëm në vend që nuk janë shpërblyer për sigurimin e rendit e qetësisë në fushën e fundit politike. "Jemi të informuar se punonjësit e komisariateve të tjera janë shpërblyer me nga 10 mijë lekë të rinj për mbarëvajtjen e mitingjeve, takimeve dhe ditën e votimit, ndërsa policia e Burrelit nuk ka përfituar asnjë lekë", shprehen ata. Një problem më vete është ajo e shpërblimit për ndeshjet e futbollit. Uniformat blu të Burrelit pohojnë se nuk do të sigurojnë ndeshjet e futbollit që bëhen në stadiumin e qytetit, pasi akoma nuk janë paguar për vitin e shkuar. Punonjës policie thanë se gjatë gjithë vitit kanë punuar jashtë orarit të punës për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjeve zyrtare të futbollit në "Liri Ballabani" dhe për këtë nuk kanë përfituar asnjë qindarkë. "Jemi ankuar në drejtorinë rajonale të policisë për këtë problem dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje", thanë punonjës të policisë të Burrelit. "Ka pasur raste kur kemi sakrifikuar për parandalimin e incidenteve në stadium dhe nuk kemi përfituar atë që në jep ligji", thonë ata, duke mbajtur shpresë se apeli i tyre publik do të dëgjohet.