E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e ish-deputetit Xhindi, pyeten 20 persona të dyshuar

 

Trazhgim Sokolaj

Policia merr në pyetje 20 persona të dyshuar për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Socialiste në Fier, Fatmir Xhindi. Shumica prej "të dyshuarve" mësohet se janë banorë të zonës së Roskovecit, si dhe të fshatit Kurjan, vendi i lindjes së ish-deputetit. Këtyre personave u është kërkuar pak ditë më parë të paraqiten në polici për të dhënë deklarime lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 2 majit 2009 në Roskovec të Fierit. Thirrja e tyre në polici është bërë pas administrimit të disa të dhënave që tregonin se këta persona kanë qenë në një rreth të afërt me vendin e ngjarjes ku ndodhi vrasja e ish-deputetit. Prokuroria kishte kërkuar menjëherë pas ngjarjes, nga kompanitë celulare, të dhënat për personat që janë ndodhur në zonën ku u vra ish-deputeti. Pak kohë më parë në organin e akuzës kanë mbërritur përgjigjet e kompanive celulare, të cilat kanë bërë lokalizimin e aparateve celulare që janë ndodhur më pranë vendit ku u vra Fatmir Xhindi, mbrëmjen e 2 majit nga ora 21:00 deri në 21:30. Hetuesit kanë verifikuar më pas personat që mbajnë këta numra telefonikë dhe menjëherë, përdoruesit e tyre është vendosur të thirren në polici për të dhënë deklarime. Pjesa kryesore e pyetjeve që u janë bërë të dyshuarve nga hetuesit, kanë të bëjnë me vendndodhjen e tyre në momentin kur ka ndodhur krimi. Të dyshuarit janë pyetur nëse kanë pasur persona të tjerë me vete, të cilët mund të provojnë si dëshmitarë veprimet e kryera prej tyre. Policia i ka pyetur të dyshuarit edhe për shkaqet e lëvizjes në atë kohë, si dhe nëse kanë parë diçka të dyshimtë në zonë. Banorët e Roskovecit, ku ndodhet edhe shtëpia e ish-deputetit, si dhe disa persona nga fshati Kurjan, kanë dhënë shpjegime edhe për mënyrën se si kanë mësuar ngjarjen e rëndë të ekzekutimit me breshëri armësh të Fatmir Xhindit. Seancat e marrjes në pyetje të personave të dyshuar në polici, mësohet se janë ndjekur edhe nga hetues të Krimeve të Rënda, ku ndodhet dosja penale për ngjarjen e rëndë. Pas administrimit të deklarimeve nga 20 personat e dyshuar, ata janë lënë të lirë ndërsa policia e prokuroria po kryejnë verifikime në rrugë të tjera.
S’ka pistë
Mbledhja e dëshmive nga 20 banorë të Roskovecit e të Kurjanit është kryer nga grupi i hetimit pas administrimit të informacioneve, që tregojnë se këta persona kanë qenë në zonën e krimit në momentin e vrasjes së deputetit. Hetuesit thonë se asnjë pistë tjetër nuk i lidh këta persona me atentatin ndaj deputetit. Sipas prokurorisë, është kryer verifikimi i dy pistave të fundit të mbetura, ajo e vrasjes për detyrën dhe për shkaqe personale dhe në këto dy versione nuk ka prova për persona të dyshuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›