E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati padi Vatnikajt, ish-kreut të Pronave

 

Tiranë - Një tjetër kallëzim penal është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës ndaj ish-kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave, Tunxh Vatnikaj. Avokati Genci Çeli ka depozituar kallëzim për ndjekje penale ndaj ish-zyrtarit të pronave, duke e akuzuar atë për kryerjen e veprave penale "shpërdorim detyre", "shpifje me rrethana rënduese", "deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore", "përvetësim pronash, mbetur në tentativë". Sipas kallëzimit, ish-kreu i Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, akuzohet për tentativën e përvetësimit të pronave të familjes së Shefqet Vërlacit. Kallëzimi penal bën fjalë për informacionin e dërguar nga Tunxh Vatnikaj në adresë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, më datë 23 dhjetor 2008. Në këtë informacion, Vatnikaj pretendon se është vënë në dijeni nga Ador Dibra, trashëgimtar i familjes Vërlaci, se avokati Genci Çeli prezantohet si djali i tezes së kryetarit të Agjencisë së Kthimit të Pronave. Sipas informacionit të Vatnikajt, avokati në fjalë u afrohet subjekteve që kanë pretendime lidhur me prona të caktuara dhe u ofron atyre ndihmën për të ndërhyrë te kreu i AKKP-së. Në kallëzimin ndaj Vatnikajt, avokati Genci Çeli e konsideron këtë informacion si një mashtrim, duke kërkuar hetimin e tij. Duke iu referuar më pas një deklarate të dhënë nga Vatnikaj në hetuesi para oficerit të policisë Bashkim Lamnica, avokati thotë se pohimet e Vatnikajt edhe në këtë rast përbëjnë shpifje duke qenë të pavërteta. Në këto dëshmi, Vatnikaj ka pohuar se "i është thënë se avokati prezantohej si djali i tezes së tij". Në kallëzimin e tij, avokati paraqet dëshminë e Ador Dibrës, i cili ka thënë para oficerit të policisë gjyqësore, se në një takim me Tunxh Vatnikajn, ky i fundit i kishte thënë "bën mirë ta heqësh atë si avokat, se përndryshe nuk ke për t'i marrë pronat e tua". Tunxh Vatnikaj, i denoncuar kësaj here për katër akuza në Prokurorinë e Tiranës, u dërgua në gjykatë pak muaj më parë me akuzën e "shpërdorimit të detyrës" në lidhje me pronat që ndodhen në zonën e Plazhit të Gjeneralit në bregdetin e Kavajës. Sipas prokurorisë me këtë pronë është kryer një abuzim me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe hartimit të akteve të shitblerjes të falsifikuara. Vatnikaj dyshohet për akuzat e ngritura dhe është ende në gjykim pa u shpallur fajtor.   tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›