E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, e rrethuar për 30 minuta nga protestuesit

Grupet e njerëzve kanë mbërritur para çadrës Turmat që i drejtoheshin bulevardit

Përmes rrugëve kryesore të Tiranës protestuesit e opozitës kanë mësyrë dje pasdite sheshin “Skënderbej” në një lumë njerëzish që i janë drejtuar mandej në rresht bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Për rreth 30 minuta trafiku i kryeqytetit është paralizuar, duke u bërë pjesë pasive e krizës politike që ka provokuar lëvizjen e masës njerëzore drejt Tiranës. Me pankarta në dorë, duke thirrur në kor parulla kundër qeverisë aktuale, grupet e njerëzve kanë mbërritur para çadrës së grevistëve të ngritur emocionalisht. Siç edhe ishte bërë e njohur më parë lëvizja e njerëzve drejt destiancionit final është ndërtuar hollësisht sipas një plani që synonte masivizimin apo shtrirjen e gjithanshme të apelit opozitar. Nga ana tjetër, një element që ka rëndësi të theksohet është organizimi i protestës sipas një parimi dallgëzues, i cili konsistonte në mbërritjen e grupeve të njerëzve në sekuenca të ndryshme kohore. Kështu, nëse një grup njerëzish kanë udhëtuar përmes bulevardit kryesor të udhëhequr nga thirrje të nxehta antiqeveritare, pak më vonë, një grup i ri ka plotësuar oshtimën opozitare duke e ripërforcuar atë nga një drejtim tjetër. Konkretisht, protestuesit e Fierit kanë ardhur në destinacion nga Blloku duke dalë pas çadrës së grevës, mes godinës së Kryesisë së Kuvendit dhe selisë së qeverisë shqiptare. Ndërkohë, stimulimi emocional dhe udhëheqja e njerëzve u është besuar deputetëve socialistë të cilët janë shkrirë me turmat duke mbajtur pankarta dhe megafonë. Rrugëtimi i turmës së opozitarëve është vendosur në qendrën e Tiranës mes kordonëve policorë që janë ndarë në dy skalione. Përpara godinave të qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë uniformat blu janë pozicionuar në rreshtim normal sa për të dëshmuar prezencën e tyre, teksa skalioni i dytë i përgatitur për të përballuar situata të vështira është pozicionuar më larg. Tipari kryesor i protestës, e cila është zhvilluar më 14 maj, pas një jave incidentesh që kanë ndihmuar në tensionimin e klimës, ka qenë qetësia e zhvillimit të saj. Edhe një tentativë e izoluar për të provokuar përplasje me policinë gjatë fjalës së Edi Ramës është bllokuar nga thirrjet direkte të vetë kryetarit të PS. Gjithsesi, përpjekja në fjalë ka provokuar rreshtimin e ri të policisë, e cila është vendosur përpara selisë së qeverisë në formacion gatishmërie. Në tërësi, kronika e protestës së djeshme e parë në aspektin politik i ka sigluar sukses opozitës në kuptim të pjesëmarrjes. Parë në optikën e menaxhimit të saj dhe simptomave të shfaqura nga njerëzit e angazhuar në të nuk mund të mos nënvizohet ndjesia e tensionit që është përforcuar pas dy javësh përpjekjesh në të gjithë vendin. Në çdo pikëpamje 14 maji dëshmoi se situata e tanishme nuk mund të vijojë të trajtohet vetëm me leximin e ligjit për të drejtën e protestës, por dikton medoemos një zgjidhje politike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›