E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infeksionet spitalore, në 100 infermierë 7 janë me hepatit

SHKRUAN: Jonida Tashi 23-05-2011 11:43

Sabri Skënderi: Nuk kemi një filtër të mirëfilltë, si urgjencat tona, për të ndarë sëmundshmërinë. Një i sëmurë kardiak, mund të ketë edhe sëmundje të tjera

Infeksionet spitalore nuk prekin vetëm pacientët, por edhe infermierët. Gati 7% e infermierëve janë bërë “pré” e infeksione të ndryshme spitalore, çka i kanë sjellë këtyre punonjësve edhe sëmundje infektive. Shqetësimi ngrihet nga presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi, i cili thekson se situata është problematike, pasi në 100 infermierë 7 janë të infektuar nga neglizhenca gjatë shërbimit kundrejt pacientëve, por edhe nga mungesa e kushteve në pavijone. “Në 100, 7 janë me hepatit. Futen në të njëjtin grup sëmundjesh me Sidën. Pavarësisht se ne i mendojmë si më pak të rrezikshme, sëmundja përparon dhe në një moshë të caktuar bëhen të rrezikshme për jetën”, - pohon Skënderi. Sipas këtij të fundit, pjesa dërrmuese e infermierëve janë të prekur nga hepatiti B dhe ky përbën një shqetësim edhe më të madh, pasi riskohen edhe familjarët e tyre. “Infermierët shqiptarë janë 10-fish më të rrezikuar se infermierët europianë. Kemi një problem. Nuk kemi një filtër të mirëfilltë si urgjencat tona, për të ndarë sëmundshmërinë. Një i sëmurë kardiak, mund të ketë edhe sëmundje të tjera”, - shprehet Skënderi. Ndërsa Instituti i Shëndetit Publik, pas një studimi për këtë problematikë, ka konstatuar se pjesa më e madhe e këtyre infermierëve punojnë në urgjencat spitalore dhe kirurgji. Aktualisht në vendin tonë, numerikisht numri i infermierëve është dominues në shërbimin publik dhe privat shëndetësor, ku shërbejnë mbi 14 mijë infermierë dhe 70% e kohës mjekësore që administrohet në shërbim të të sëmurëve drejtohet dhe qeveriset nga infermieri. Këtë fakt e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë konferencës së tretë të infermieristikës, që është zhvilluar në fillim të muajit maj.

Hepatiti C, në tendencë në rritje

Gjatë vitit të kaluar në strukturat publike shëndetësore kanë regjistruar 361 raste të reja me hepatit. Hepatiti A është ai që ka shënuar numrin më të lartë të të prekurve, me rreth 256 raste. I dyti renditet hepatiti B, me 70 raste; ndërsa me hepatit C janë zbuluar 35 persona të prekur. Megjithëse po vihet re një tendencë rënieje e personave me hepatit B, për shkak të vaksinimit, ka një tendencë të shtimit të rasteve me hepatit C, që është edhe më i rrezikshmi. Sipas specialistëve, 6 në 100 persona në Shqipëri kanë hepatit B, ndërsa 1% e popullatës vuan nga hepatiti C. Hepatiti B dhe C merren vetëm nga kontakti seksual dhe gjaku. Grupet në risk janë personat që kanë kryer një transfuzion gjaku, përdoruesit e drogave, personat që kanë kryer ndërhyrje dentare ose kirurgjikale. Po kështu, të ekspozuar ndaj virusit janë edhe ata që bëjnë tatuazhe, si dhe personat që kryejnë marrëdhënie seksuale me shumë partnerë. Për hepatitin B është kryer një vaksinim kombëtar, ndërsa për hepatitin C nuk ka vaksinë. Sa i përket hepatitit A, ai mund të merret në disa rrugë. Përhapja e këtij virusi mundësohet nga higjiena e ulët personale dhe dendësia e popullsisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›