Nafta e standardeve të BE-së, e detyrueshme edhe në Kosovë
Që nga java e ardhshme pritet të hyjë në fuqi udhëzimi administrativ për naftën, i cili, përveç të tjerash, parasheh që niveli i squfurit në naftë të jetë vetëm 0.001 për qind në tregun e Kosovës. Zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe industrisë thonë se ndryshimi në parametrat e prezencës së squfurit në karburante është një nga standardet e BE-së. “Synim yni është që ne të ecim karshi vendeve të rajonit dhe kjo na detyron që edhe ne të kemi në treg karburante me 10 ppm ose 10mg/kg, ose shprehur në përqindje 0,001% squfur”, ka thënë Ramadan Buzhala, drejtor i Zyrës për licencim, rregullim dhe vëzhgim në sektorin e naftës në Kosovë. Kjo është një nga standardet e aplikuara në rajon. Shqipëria është duke e aplikuar që nga janari i këtij viti, bën të ditur “Koha Ditore”.
“Afati i fundit i aplikimit të një direktive të BE-së është 31 dhjetori 2011, e cila parasheh reduktim të prezencës së squfurit në karburante, ashtu siç e kemi për synim të reagojmë këto ditë”, ka thënë Ramadani, duke shtuar se reduktimi i sulfurit nënkupton mbrojtje të mjedisit. Nazmi Bytyqi, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, ka thënë se janë dërguar vërejtjet e shoqatës me shkrim. Ai ka thënë se udhëzimi ende nuk është finalizuar, por do të përfundohet shpejt. “Ndryshimi i normës së squfurit nga 50 ppm në 10 ppm nënkupton që të importohet vetëm nafta që është ‘Euro 5’. Gjithashtu edhe ndryshimet e tjera janë të rëndësishme”, ka thënë Bytyqi.