Tatimi progresiv: Financat nuk janë gati, biznesi propozon ndryshime
Ndërsa nga Ministria e Financave bëhet me dije se ende nuk është ngritur grupi i punës për ndryshimet e mundshme që mund t’i bëhen draftligjit për tatimin progresiv, komuniteti i sipërmarrësve të biznesit po studion mundësitë për të paraqitur kërkesat në Këshillin Konsultativ të Biznesit, ku pritet të rishqyrtohet drafti i tatimit progresiv. Biznesi nuk është dakord me draftin konkret që është tërhequr 10 ditë më parë nga financat për t’u rishqyrtuar, pasi sipas tyre pengon investimet nga investitorët strategjikë. Drafti i tërhequr për tatimin mbi fitimin, parashikon aplikimin e një tatimi progresiv mbi bizneset në varësi të shkallës së fitimit. Në këtë mënyrë, sipas draftligjit, parashikohet dyfishimi i tatimfitimit për ato kompani që deklarojnë se kanë fitime mbi 20 për qind të xhiros, si dhe trefishimin të tij për ato biznese që deklarojnë se kanë fitim mbi 30 për qind të xhiros. Ndërsa pritet që këtë javë Dhoma Britanike e Tregtisë dhe industrisë në Tiranë, sëbashku me Dhomat e tjera të Tregtisë dhe industrisë, të dalë me propozime konkrete për këtë draftligj, pas një jave diskutimesh me ekspertë të fushës.