Shtohen sëmundjet infektive dhe ato seksualisht të transmetueshme
Sëmundjet infektive dhe ato seksualisht të transmetueshme po rrezikojnë seriozisht shëndetin e njerëzve. Shqetësimi ngrihet nga specialistët e shëndetit, të cilët shprehen se këto sëmundje po përhapen me shpejtësi në popullatë, ndaj ata apelojnë për më shumë kujdes dhe vëmendje. Ndotja e mjedisit dhe mungesa e edukatës higjieno-sanitare në mjediset ku jetojmë dhe punojmë ka rritur ndjeshëm përhapjen e mikrobeve të rrezikshme. Sipas specialistëve, tashmë edhe Shqipëria ka nivel të barabartë mikrobial me vendet e tjera të rajonit dhe për pasojë sëmundjet infektive janë trefishuar. Të dhënat janë bërë publike në konferencën e tretë kombëtare të mikrobiologjisë, nga shefi i Shërbimit të Mikrobiologjisë pranë QSUT-së, Betim Byku. “Shpeshtësia në disa infeksione, si ato me transmetim seksual, sikurse janë viralet, si hepatiti B, C, por në veçanti infeksionet spitalore, mbeten një problem që kërkon manaxhim teknik, diagnostik, apo terapeutik”, - shprehet shefi i Shërbimit të Mikrobiologjisë në QSUT. Ndërsa një prej mikrobiologeve në karrierë, Fatri Gorica, apelon për më shumë vëmendje nga ana e shoqërisë shqiptare, për t’u përkujdesur më shumë për higjienën personale. “Femrat, sidomos nënat, duhet të tregojnë kujdes që në moshën fëminore të fëmijëve, lidhur me edukatën sanitare. Mjedisi duhet mbajtur pastër, pasi në një mjedis të papastër zhvillohen kaq shumë mikroorganizma, sa nuk mund t’i kapë mendja e njeriut”, - shprehet Fatri Gorica. Ndërkaq, edhe sëmundjet seksualisht të trasmetueshme dhe viruset e llojeve të ndryshme vitet e fundit kanë gjetur përhapje të gjerë në vendin tonë, por fatkeqësisht jo të gjitha mikrobet mund të luftohen me medikamente, ndaj bluzat e bardha kërkojnë më shumë kushte pune për të kryer kërkime në këtë fushë. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), Shqipëria është një vend me rrezik të lartë për infeksionet seksualisht të transmetuara (IST), për arsye se kemi popullatë relativisht të re, nivele të larta migrimi e emigrimi, të prostitucionit, edukim të pakët për edukatën seksuale. Ndonëse deri në vitin 1995 incidenca e infeksioneve seksualisht të transmetuara ka qenë zero, survejanca e raportimit sindromik, që është kryer nga ISHP në vitin 2007, ku kanë raportuar 250 mjekë nga 8 rrethe të vendit, si: Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, ka treguar se në Shqipëri janë diagnostikuar dhe raportuar 203 raste me sifiliz primar dhe sekondar nga viti 1995 deri në vitin 2007. Ndërkohë që përveç sifilizit, takohen edhe Gonorrea, infeksionet nga Clamydia dhe Trichomonas vaginalis. Përsa i përket moshave më të prekura, sipas të dhënave nga ISHP, numri më i madh i rasteve i përkasin grupmoshave 25-35 vjeç (56 raste) dhe mbi 35 vjeç (91 raste), respektivisht me 32% dhe 53%, kurse grupmosha 15-25 vjeç zë 85 të rasteve. Ndërsa sipas të dhënave të studimit të parë demografik dhe shëndetësor të kryer në vendin tonë në vitet 2008-2009, 11% e femrave dhe 12% e meshkujve raportojnë të kenë pasur një IST ose simptomë të IST.
HIV/AIDS
19% e femrave 15-24 dhe 50% e meshkujve 15-24 kanë përdorur kondom në marrëdhënien e parë
79% e femrave 88% e meshkujve të kësaj moshe e dinë se ku mund të sigurojnë kondom
26% e femrave dhe 40% e meshkujve e dinë ku mund të kryhet një test për HIV
2% e femrave dhe 3% e meshkujve janë testuar ndonjëherë për HIV dhe kanë marrë rezultatin
67% e femrave 76% e meshkujve e dinë që rreziku për marrjen e HIV mund të pakësohet duke përdorur kondom dhe kufizuar marrëdhëniet seksuale me një partner të painfektuar
Ndryshimi
Shëndeti riprodhues dhe seksual pas viteve ‘90
Pas viteve 1990 situata e shëndetit riprodhues dhe seksual ndryshoi edhe në vendin tonë. Arsyet, sipas specialistëve, ishin: martesat u shtynë në moshë më të rritur, marrëdhëniet seksuale po fillonin në moshë më të re. Eksperienca e parë seksuale tek 1.7% e djemve e vajzave të moshës 15-19 vjeç është më e vogël se 15 vjeç. Kanë kryer marrëdhënie seksuale 23% e djemve të moshave 18-24 vjeç dhe 15% e vajzave para 18 vjeç. Përvoja seksuale shfaqet në përpjesëtim të drejtë me moshën, 8 herë më e lartë për të rinjtë në moshë më të rritur 22-24 vjeç (66%), në krahasim me adoleshentët 15-17 vjeç (8.5%). Përqindjet e përvojës seksuale paramartesore priren të jenë më të larta për burrat që jetojnë në zonat urbane dhe rritet me rritjen e moshës, arsimit dhe statusit social-ekonomik. 81% e femrave të reja me përvojë seksuale raportojnë që në marrëdhënien e parë seksuale kanë përdorur një metodë kontraceptive ato vetë ose partneri i tyre. Gjatë përvojës së parë seksuale, 85% e meshkujve të rinj raportojnë të kenë përdorur metoda kontraceptive: prezervativ (43%) dhe tërheqje (56%). Kondomet përdoren më shumë gjatë aktit të parë seksual nga meshkuj më të rinj, banues në zonat urbane, me nivel arsimor më të lartë dhe nga grupe social-ekonomike më të larta.