E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, ndalohet konsumimi i trangullit

Gjermanëve u është kërkuar të mos konsumojnë më tranguj, deri sa analizat shkencore të identifikojnë burimin e shpërthimit të epidemisë vdekjeprurëse nga Escherichia Coli, që ka marrë 10 jetë njerëzish nëpër Europë. Tranguj organikë të importuar nga Spanja besohet të jenë shkaku i sëmundjes, megjithatë testime të mëtejshme po kryhen për përcaktimin e saktë të origjinës së bakterit vrasës. Perimet e prekura prej tij kanë lënë qindra vetë me probleme të veshkave në Suedi, Danimarkë, Holandë dhe Britani. Të dielën edhe autoritetet çeke e ato austriake tërhoqën nga tregu sasi trangujsh të kultivuar në Spanjë. Tranguj të infektuar nga Escherichia Coli janë eksportuar edhe në Hungari dhe Luksemburg. Dy sera në Spanjë të identifikuara si burim i sëmundjes janë mbyllur, ndërsa po hetohet për të parë nëse ka edhe vatra të tjera. Epidemia, të cilën Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve e cilëson si një nga më të mëdhatë që është raportuar ndonjëherë në Gjermani, ka goditur më rëndë zonën e Hamburgut. Ajo që çuditi ekspertët ishte fakti që sëmundjet e shkaktuara nga Escherichia Coli zakonisht prekin fëmijët, sidomos ata nën moshën 5 vjeç, por në rastin e Gjermanisë, 90% e të infektuarve janë të rritur, dhe dy të tretat e tyre gra. Shkencëtarët do të analizojnë ADN-në e bakterit, me shpresën se kjo do të ndihmojë të hidhet dritë edhe mbi mënyrat e pikasjes së tij që në fazat e hershme të infektimit. Sëmundja nuk është ngjitëse, por mund të kalohet nga një njëri te tjetri, nëse personi i prekur përgatit ushqim për të tjerët. Sipas autoriteteve gjermane, burimi i epidemisë që shkakton bllokim të veshkave, diarre hemorragjike dhe dëmtim të sistemit nervor, është ende aktiv, çka do të thotë se epidemia mund të vazhdojë të përhapet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›