E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infektivi, 60 raste helmimesh çdo ditë

Uji i pijshëm dhe produktet e pakontrolluara ushqimore, shkak për të vjellat dhe gjendjen e të fikëtit te qytetarët

Spitali infektiv është më i populluar se në asnjë periudhë tjetër të vitit, për shkak të rasteve të shumta që kërkojnë ndihmën e parë mjekësore në këtë pavijon. Helmimet për shkak të ushqimeve kanë çuar në dyndje të mëdha të të shtruarve në urgjencën e spitalit, por edhe në pavijonet e tij. Rreth 60 pacientë paraqiten çdo ditë pranë urgjencës për të marrë ndihmën mjekësore, për arsye të problemeve me stomakun, me të vjellat apo edhe me diarre. Fluksi i tyre është aq i madh saqë kapaciteti i shtretërve që ndodhen në këtë pavijon nuk mund ta përballojë numrin e pacientëve, që shfaqin dita-ditës simptoma të tilla. Ka pasur edhe nga ato raste kur pacientët janë detyruar të presin derisa të lirohet ndonjë krevat, qoftë në urgjencë, apo në pavijone të tjera. Mjekët sqarojnë se pjesa më e madhe e pacientëve kanë pranuar se janë ushqyer me produkte ushqimore që mund të mos kenë qenë të freskëta. Nga ana tjetër, vetë pacientët kanë pohuar se një tjetër shkak për helmimin e tyre ka qenë edhe konsumimi i ujit të ndotur që rrjedh nga rubinetet e tyre. Simptomat me të cilat përballen pacientët, për shkak të helmimit, janë diarreja dhe të vjellat. Mjekët pohojnë gjithashtu se pacientët kanë temperaturë të lartë dhe gjendje të këputuri, gjë që e ul imunitetin mbrojtës të organizmit të gjithsecilit. Ndërkohë, ata tregojnë se moshat e pacientëve që paraqiten aktualisht në këtë pavijon janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga më të rinjtë deri te më të moshuarit, fakt ky që tregon se situata është alarmante. "Pacientët ankohen sidomos nga të vjellat dhe diarreja, çka dëshmon se sëmundja e ka origjinën prej produkteve të konsumuara. Megjithatë, në stinën e verës këto probleme janë gjithmonë të pranishme", sqarojnë specialistët. Mjekët theksojnë se popullata duhet të ndërgjegjësohet për t’u treguar sa më e kujdesshme në ruajtjen e shëndetit. Sipas tyre, për të parandaluar helmimin qytetarët nuk duhet të konsumojnë ushqime të pakontrolluara dhe duhet të lajnë duart mirë pothuajse gjatë gjithë ditës. E, megjithatë, krahas kësaj, specialistët pohojnë se për t’u ruajtur nga helmimi nuk mjafton vetëm vullneti i personit, por duhen edhe kushte të tjera. Ata këshillojnë që uji të zihet, për shkak të mikrobeve që mund të gjenden në të. Po ashtu, mjekët rekomandojnë edhe evitimin e daljes jashtë ambienteve të shtëpisë në orët e pikut, 11.00-16.00.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›